Guerreiro për krahun e Juventusit

- Bota Sot

Guerreiro për krahun e Juventusit

Në Torino po mendojnë për përforcime në krahë, sektor që ka krijuar jo pak shqetësime në fillimin e sezonit.

Në të djathtë, trajneri Tudor është detyruar të përdorë lojtarë të përshtatur si Kalulu dhe Mek Kenie, ndërsa në të majtë Kambiaso ka mbajtur peshën pothuajse i vetëm.

Për këtë arsye, drejtuesit e Juventusit po studiojnë me kujdes mundësinë për të sjellë në skuadër Rafael Guerreiro-n e Bajernit të Mynihut.

Mbrojtësi portugez, 30 vjeç, nuk po gjen hapësira nën drejtimin e trajnerit Vincent Kompani. Në katër javët e para të Bundesligës, ai ka luajtur vetëm 70 minuta, duke dhënë sinjal të qartë se nuk është më pjesë thelbësore e projektit bavarez.

Kontrata e tij skadon në qershor 2026, por për momentin nuk ka sinjale për rinovim, çka mund ta shtyjë Bajernin të shqyrtojë shitjen që në merkaton e janarit.

Juventusi po e ndjek me interes situatën, pasi Guerreiro shihet si profil ideal për sistemin e Tudor-it. Ai mund të mbulojë si krahun e majtë mbrojtës, ashtu edhe rolin e mesfushorit të përparuar, duke ofruar fleksibilitet dhe përvojë ndërkombëtare.

Një lëvizje që do t’i jepte skuadrës cilësi dhe thellësi në fazën ofensive. Ndërkohë, në prapaskenë mbetet e hapur edhe çështja Dushan Vlahoviç. Sulmuesi serb vazhdon të tërheqë interesin e Bajernit, që nuk e ka fshirë nga listat e tij.

Edhe pse për momentin nuk flitet për një shkëmbim të mundshëm mes dy klubeve, në Torino janë të vetëdijshëm se çdo hap në merkato mund të ndikojë në të ardhmen e numrit 9 bardhezi.



Read it all at Bota Sot