Ndeshja kundër Serbisë - rikthehet flamuri shqiptar në stadium

- Bota Sot

Ndeshja kundër Serbisë - rikthehet flamuri shqiptar në stadium

Gjithçka është gati për duelin e madh mes Serbisë dhe Shqipërisë sonte nga ora 20:45 në Leskovc.

Federata Serbe ka rikthyer flamurin shqiptar në stadiumin “Dubocica” ku do të luhet takimi mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Një ditë më parë, gjatë stërvitjes së Kombëtares shqiptare në këtë stadium, flamuri kuqezi nuk ishte vendosur.

Sa i përket organizimit të ndeshjes, do të angazhohen rreth 5000 forca policie, të ardhura nga Beogradi, për të mbajtur rendin në zonën mes Nishit dhe Leskovcit.

Hoteli ku qëndron kombëtarja shqiptare në Nish vijon të jetë i rrethuar dhe i blinduar nga forca të shumta policore për të garantuar sigurinë maksimale të skuadrës kuqezi në prag të sfidës.

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar stërvitjen e fundit nën urdhrat e Sylvinhos, i cili pritet të zbresë në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm, raporton TopChannel, përcjell KosovaPress.

Kuqezinjtë pritet të nisin ndeshjen me Strakoshën në portë, mbrojtjen me Hysaj, Ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj, në mesfushë Laçi, Asllani e Shehu, ndërsa në sulm Broja, Bajrami dhe Manaj.

Edhe pse janë të lejuar rreth 6.000 tifozë në stadium, numri i tyre nuk do të kalojë 3500-4000.

Kujtojmë, në duelin tjetër të grupit K, Letonia dhe Andorra ndanë pikët duke luajtur 2:2. Me këtë barazim, Letonia shkon në kuotën e 5 pikëve, ndërsa Andorra merr pikën e parë.



Read it all at Bota Sot