Kuriu: Ndeshja Serbi-Shqipëri është më e vështira e grupit

- Bota Sot

Kuriu: Ndeshja Serbi-Shqipëri është më e vështira e grupit

Ish-futbollisti i Besës së Kavajës dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu nga Serbia, ka folur për Edicionin e Pasdites në lidhje me ndeshjen e futbollit Serbi–Shqipëri, që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 20:45.

Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Kuriu u shpreh se kjo është ndeshja më e vështirë e grupit për Shqipërinë, jo vetëm për arsye sportive.

‘Presim një nga ndeshjet më të vështira të grupit tonë, nga pikëpamja teknike, por sigurisht ajo ka koeficient vështirësie edhe për arsye që dihen tani, sepse më shumë po fokusohemi tek problemet Serbi–Shqipëri, se sa tek ndeshja.

Unë mendoj se, kjo është ndeshje që na ndan rrugët, dmth ose na nis drejt Amerikës ose ne rrimë në vend dhe e mbyllim garën.’

Sipas tij, skuadra kuqezi përballet me një ngarkesë psikologjike që shkon përtej aspektit teknik të ndeshjes.

‘Për arsye që dihen skuadra merr ngarkesë psikologjike përtej anës teknike të ndeshjes. Por favori është se të dyja palët kanë këtë lloj ngarkese. Kështu që ne shpresojmë që në fushën e lojës të jemi në kushte të barabarta dhe të kthemi me fitore.’

Kuriu theksoi se ekipi shqiptar ka shkuar në Serbi për fitore, duke e konsideruar këtë ndeshje vendimtare për vazhdimësinë e garës.

‘Natyrisht që ne kemi shkuar për fitore, nuk kemi rrugë tjetër. Shkojmë në Serbi për të luajtur si të barabartë dhe për të arritur qëllimet tona.

Ngarkesa psikologjike është përtej ndeshjeve normale, sepse këtu ka dhe çështje që nuk kanë çështje me futbollin".



Read it all at Bota Sot