Mediumi i madh spanjoll shkruan për fitoren e Shqipërisë ndaj Serbisë

- Bota Sot

Mediumi i madh spanjoll shkruan për fitoren e Shqipërisë ndaj Serbisë

Rey Manaj, ish-sulmues i Barcelonës dhe aktualisht lojtar i Sarja FC në Emiratet e Bashkuara Arabe, i dha Shqipërisë një fitore historike në udhëtim ndaj Serbisë, duke shënuar golin vendimtar në fund të pjesës së parë.

Goli i Manajt në stadiumin “Dubočica” të Leskovcit vulosi triumfin 1-0 për kuqezinjtë në një ndeshje të tensionuar dhe me atmosferë të nxehtë. Pas golit, ai festoi me gjestin e shqiponjës dykrenare, simbol që përfaqëson flamurin shqiptar dhe që është parë edhe më parë në sfida të ngjashme kundër Serbisë.

Për këtë triumf të madhe të kuqezinjve ka shkruar edhe mediumi i madh spanjoll, “Marca” duke rikthyer në vëmendje kujtimet nga Kupa e Botës 2018 kur Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri festuan në të njëjtën mënyrë pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë

“Ky gjest riktheu kujtimet nga Kupa e Botës 2018, kur Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri festuan në të njëjtën mënyrë pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë. Po ashtu, rikujtoi incidentin e famshëm të dronit në Beograd në vitin 2014, që solli ndërprerjen e ndeshjes mes dy vendeve”, shkruan “Marca”

Tutje, kjo gazetë ka shkruar edhe për historinë e simbolit me shqiponjën dykrenare.

“Shqiponja dykrenare ka një histori të gjatë dhe të rëndësishme për shqiptarët. Ajo u përdor si simbol nga heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në shekullin XV dhe përfaqëson unitetin e territoreve shqiptare nën një flamur të vetëm. Megjithatë, simboli ekziston edhe në heraldikën serbe, por me kuptim dhe ngjyra të ndryshme.”

Fitorja e Shqipërisë në Serbi nuk ishte vetëm një sukses sportiv, por edhe një ngjarje me peshë simbolike, duke rikthyer në skenë një rivalitet historik që tejkalon kufijtë e futbollit.



Read it all at Bota Sot