Zinedine Zidane ka pranuar se ëndrra e tij mbetet stoli i Kombëtares së Francës, megjithëse ende nuk është e qartë kur mund të ndodhë kjo. Në një intervistë gjatë Festivalit “dello Sport” të organizuar në Trento nga Gazzetta dello Sport, legjenda franceze theksoi se është i gatshëm të rikthehet në stolin e trajnerit pas disa viteve pushim.
“Jam i sigurt se do të kthehem te trajneri dhe ajo që dua është të bëhem trajner i ekipit kombëtar një ditë; do ta shohim. Juventusi? Nuk e di, por është gjithmonë në zemrën time”, u shpreh Zidane, 53 vjeç, i cili shihet si kandidati kryesor për të pasuar Didier Deschamps pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.
Zidane, që nuk ka drejtuar asnjë skuadër që prej largimit nga Real Madridi në vitin 2021, foli edhe për filozofinë e tij të punës. “Për të qenë trajner i mirë, gjëja më e rëndësishme është pasioni për futbollin dhe dëshira për t’u përcjellë lojtarëve atë që ke brenda vetes. Sipas mendimit tim, trajneri luan një rol vendimtar, madje 80% në suksesin e ekipit”, tha ai.
Duke kujtuar vitet me Juventusin, Zidane nuk i kurseu lavdet për bashkëlojtarët dhe trajnerin e tij të atëhershëm. “Del Piero ishte i jashtëzakonshëm, kishte diçka më shumë se të tjerët. Marcello Lippi më dha besim pas një fillimi të vështirë, më tha: ‘Do të kesh një karrierë të shkëlqyer dhe do ta bësh këtu’”, tregoi francezi.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën pranoi gjithashtu se nuk e shijon më futbollin modern si dikur. “Sot shoh më pak ndeshje. Kur shkoj në stadium, dua të shoh lojë sulmuese, driblime, pasime 40 metra... më mungojnë pak këto gjëra,” tha ai me nostalgji.
Në fund, Zidane ndaloi edhe te talenti i ri spanjoll Lamine Yamal, për të cilin kishte vetëm fjalë vlerësimi. “Të shohësh se si e prek topin më emocionon,” përfundoi ai.