Iniciativa e Partneritetit Evropian të Informatikës së BE-së (EURO HPC) njoftoi se gjashtë fabrika shtesë të Inteligjencës Artificiale (IA) do të ngrihen përkatësisht në Republikën Çeke, Lituani, Holandë, Poloni, Rumani dhe Spanjë.
“Fabrikat e IA-së të përzgjedhura rishtazi do t’u bashkohen 13 vendeve të përzgjedhura më parë, duke formuar një rrjet të ndërlidhur të qendrave të IA-së, të gatshme për të nxitur inovacionin në të gjithë Evropën”, theksoi Euro HPC në një deklaratë.
Ajo tha se gjashtë vendet e fundit të identifikuara do të krijojnë fabrika IA-je dhe sisteme të reja të optimizuara për IA-në, për të zgjeruar më tej infrastrukturën e IA-së të Evropës.
“Fabrika e IA-së në Spanjë do të përfshijë gjithashtu një platformë eksperimentale, e cila do të shërbejë si një infrastrukturë e përparuar për zhvillimin dhe testimin e modeleve dhe aplikacioneve inovative të IA-së, si dhe do të nxisë bashkëpunimin në të gjithë Evropën”, sipas deklaratës.
Fabrikat e IA-së do të ofrojnë gjithashtu një shërbim të centralizuar në nivel kombëtar dhe mbështetje gjithëpërfshirëse për startup-et evropiane të IA-së, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe studiuesit.
Fabrikat e reja të IA-së do të mbështeten nga një investim prej mbi 500 milionë eurosh (578,6 milionë dollarë) nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj, gjë që do të zgjerojë kapacitetin informatik me performancë të lartë të Evropës dhe do të përshpejtojë përdorimin e IA-së në sektorët kryesorë.
“Ky zgjerim forcon pozicionin e Evropës si një lider global në IA dhe siguron që zgjidhjet e IA-së të mund të zhvillohen, testohen dhe shkallëzohen brenda një ekosistemi evropian digjitalisht sovran”, shton Euro HPC, raporton ATSH, përcjell KosovaPress.