Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, është shprehur se edhe pse ndeshja ndaj Jordanisë është miqësore, për skuadrën e tij nuk ekziston një ndeshje pa objektiv fitore.
Braziliani dhe mbrojtësi Klisman Cake kanë dalur sot para mediave në prag të ndeshjes miqësore që kuqezinjtë.
“Në çdo ndeshje futemi për të fituar, nuk ka miqësore. Do ketë hapësirë për të gjithë, por nuk mund të luajnë 11 lojtarë që nuk kanë luajtur asnjëherë bashkë. Tifozët i ftoj të mbështesin skuadrën, që gjithmonë duhet të luajë me shpirt, me zemër”, ka thënë Sylvinho.
Nga ana tjetër, mbrojtësi i ri ka folur me emocion për përvojën e tij në Kombëtare.
“Po jetoj një ëndërr, Kombëtarja të jep ndjesi të papërshkrueshme. Jemi gati në çdo moment për Kombëtaren, askush nuk të premton se do të luash. Nesër i ftoj të gjithë tifozët të vijnë të festojnë me ne pas asaj fitoreje të madhe në Serbi”, ka deklaruar ai.
Fitorja historike ndaj Serbisë në Leskovc e ka afruar Shqipërinë një hap më pranë “play off” të kualifikimeve për Botërorin 2026. Pas testit ndaj Jordanisë, kuqezinjtë do të përqendrohen në dy sfidat vendimtare të nëntorit: ndaj Andorrës dhe Anglisë.