Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka deklaruar se Neymar vazhdon të jetë pjesë e planeve të tij për Kombëtaren, por për t’u rikthyer në skuadër duhet së pari të arrijë formën e plotë fizike.
Sulmuesi tridhjetë e tre vjeçar nuk ka luajtur për Brazilin prej dy vitesh, pasi lëndimet e vazhdueshme kanë ndikuar në paraqitjet e tij që prej rikthimit te Santos, pas aventurës në Arabinë Saudite.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes miqësore ndaj Japonisë, që zhvillohet të martën në Tokio, Ancelotti e ka vlerësuar talentin e Neymar, por ka theksuar se gjendja fizike është thelbësore për rikthimin e tij.
“Neymar mund të luajë në nivelin më të lartë në këtë ekip pa asnjë problem”, ka thënë italiani. “Kur është në formë të mirë fizike, ai ka cilësinë për të luajtur jo vetëm për Brazilin, por për çdo skuadër në botë, falë talentit të tij”.
Ish-ylli i Barcelonës dhe PSG-së e ka veshur për herë të fundit fanellën e verdhë në tetor të vitit 2023, kur e kishte pësuar një lëndim të rëndë në gju, që ka penguar rikthimin e tij të plotë në fushë.