Kombëtarja e Kosovës rikthehet sonte në fushë për ndeshjen e dytë të tetorit, ku do të përballet me Suedinë në stadiumin “Nya Ullevi” të Goteborgut, me fillim nga ora 20:45.
Pas barazimit të vlefshëm ndaj Sllovenisë në “Fadil Vokrri”, Dardanët udhëtojnë drejt Skandinavisë me besim dhe synim për të ruajtur ritmin pozitiv në Grupin K të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Në anën tjetër, Suedia ndodhet në një periudhë të vështirë. Kombëtarja nordike ka grumbulluar vetëm një pikë në tre ndeshjet e para dhe do të kërkojë me ngulm fitoren e parë për të ringjallur shpresat e saj.
Kosova, me një fitore, një barazim dhe një humbje në tri sfidat e para, shkon në Goteborg me moral të lartë dhe objektivin për të marrë sërish rezultat pozitiv.
Një numër i madh tifozësh shqiptarë pritet të jenë prezent në shkallët e stadiumit për të krijuar atmosferë elektrizuese dhe për t’i dhënë mbështetje maksimale Dardanëve në këtë sfidë të rëndësishme.
Këto janë formacionet zyrtare:
Suedia: Johanson, Lagerbielke, Hien, Lindelof, Bernhard, Bergvall, Ayari, Svensson, Gudmunsen, Gyokeres, Isak
Kosova: Muric, Gallapeni, Hajrizi, Hajdari, Krasniqi, Vojvoda, Avdullahu, Hoxha, Muslija, Muriqi, Asllani