Ish-futbollisti Malësor Gjonbalaj ka vlerësuar se përballja e sontme mes Suedisë dhe Kosovës do të jetë shumë më e vështirë sesa ndeshja e parë, të cilën Kosova e ka fituar me rezultat 2-0.
Duke folur në RTK, ku ka qenë i ftuar për ta analizuar takimin, Gjonbalaj ka theksuar se ndryshimet që Suedia ka bërë në formacion mund të jenë sfiduese për ekipin kosovar.
“Suedia ka bërë ndryshime në formacion. Dhe këto ndryshime paraqesin rrezik për Kosovën. Kosova e ka të vështirë që ta fitojë këtë ndeshje. Për ta fituar, Kosova duhet të vrapojë shumë. Nuk besoj që kjo ndeshje do të jetë reprizë e asaj të mëparshmes”, ka deklaruar Gjonbalaj.
Ndeshja zhvillohet sonte dhe është e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.