Italisë nuk i falen hapat fals

- Bota Sot

Italisë nuk i falen hapat fals

Në prag të ndeshjes Itali–Izrael, trajneri i kombëtares Xhenaro Gatuzo foli me vendosmëri e qetësi për objektivin e radhës: sigurimin e biletës për fazën e playoff-it të Botërorit 2026.

Sfida do të luhet në stadiumin e Udines, ku pritet një prani prej mbi dhjetë mijë tifozësh. “Duam të nxisim atmosferën, sepse kemi nevojë për tre pikë që të mos vëmë në rrezik rrugëtimin tonë,” tha Gatuzo.

Trajneri ndaloi edhe te tema njerëzore e ditës: armëpushimi në Lindjen e Mesme. “Jemi shumë të lumtur që njerëzit po kthehen në tokën e tyre. Janë imazhe që të ngrohin zemrën,” deklaroi ai, duke shtuar se respekton çdo formë proteste jashtë stadiumit. Në aspektin sportiv, Gatuzo kërkon përqendrim maksimal.

“Janë dy muaj që e dimë se nuk mund të bëjmë më asnjë gabim. Çdo ndeshje është një finale. Për ne, kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar mentalitetin e duhur.” Sa i përket sulmit, trajneri foli me vlerësim për të rinjtë. “Pio Esposito është një djalë i përulur, që punon shumë dhe jep gjithçka. Do të shohim nëse do të fillojë nga minuta e parë, por e rëndësishme është që ai është gati. Nuk ka rrezik për dëmtime.”

Gatuzo theksoi edhe filozofinë e tij të punës. “Në stërvitje gjithçka duhet të ngjasojë me ndeshjen.

Nuk mjafton vetëm talenti, duhet disiplinë dhe përkushtim. Kjo është mënyra si ndërtohen ekipet fituese.

” Në lidhje me fjalët e ish-trajnerit Spaletti, Gatuzo u shpreh me respekt: “I kam vlerësuar shumë ato që tha.

Doja ta telefonoja për ta falënderuar, por nuk doja ta shqetësoja. Ai nuk flet kurrë kot.”

Sa i përket zgjedhjeve taktike, tekniku konfirmoi ndryshime të mundshme. “Me Estoninë luajtëm me 4-4-2, por ndaj Izraelit mund të kalojmë me tre mbrojtës. Nuk më pëlqen shumë ai sistem, por duhet t’i vendosim lojtarët aty ku ndihen më mirë. Përballë kemi një skuadër që luan ofensivisht dhe mund të na vërë në vështirësi.”

Në fund, Gatuzo foli edhe për rikthimin e mundshëm të Zaniolos: “Dyert janë të hapura për këdo që tregon vlerë. Zaniolo është lojtar i rëndësishëm dhe po e gjen veten. Mund të jetë përsëri pjesë e këtij grupi.

” Një Gatuzo realist, i përqendruar dhe me një ton njerëzor që reflekton maturinë e tij të re në pankinë

“Për mua, të jem trajner i Italisë është një ëndërr që e kam që fëmijë. Kam veshur këtë fanellë për 11 vite dhe ndihem si në shtëpi. Tani dua ta çoj këtë ekip aty ku meriton.”



Read it all at Bota Sot