Pas plot 15 vitesh mungesë, Afrika e Jugut është rikthyer në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Kombëtarja e drejtuar nga Hugo Broos siguroi kualifikimin në Botërorin 2026 falë fitores bindëse 3-0 ndaj Ruandës, në ndeshjen vendimtare të zhvilluar në “Mbombela Stadium”.
Bafana Bafana e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte: Thalente Mbatha zhbllokoi rezultatin që në minutat e para me një goditje të fuqishme, ndërsa Oswin Appollis dyfishoi avantazhin pas një kombinimi të bukur me Evidence Makgopa.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 2-0, ndërsa në fraksionin e dytë Makgopa vulosi suksesin me një gol me kokë, duke ndezur festën në tribunat e Mbombelës.
Me këtë triumf, Afrika e Jugut e mbyll grupin në vendin e parë dhe siguron kualifikimin automatik për Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.