Shfaqet filmi “Virgjëresha e Betuar”, një urë rrëfimtare midis kulturës shqiptare e asaj italiane

- Bota Sot

Shfaqet filmi “Virgjëresha e Betuar”, një urë rrëfimtare midis kulturës shqiptare e asaj italiane

Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, sonte në “Kino Armata” u shfaq filmi “Virgjëresha e Betuar” (2015) i regjisores Laura Bispuri, në versionin origjinal italisht me titra në gjuhën angleze dhe shqipe.

Ky film, i cili është një përshtatje artistike që trajton çështje të identitetit dhe të lirisë personale, synon të reflektojë mbi marrëdhënien midis traditës dhe transformimit shoqëror, si dhe mbi mënyrën se si gjuha dhe kultura ndikojnë në vetëdijen individuale dhe kolektive, raporton KosovaPress.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, tha se filmi bart një mesazh të fuqishëm për raportin midis identitetit dhe përkatësisë kulturore.

“Përmes rrëfimit të fuqishëm, filmi i Laura Bispuri ngre pyetje mbi marrëdhënien mes identitetit personal, përkatësisë kulturore dhe lirisë. I vendosur fillimisht në malet e veriut të Shqipërisë, ku traditat dhe rregullat e lashta të Kanunit kanë ndikuar fuqishëm jetën e njerëzve, filmi ofron një dritare mbi këto tema, duke shërbyer si një urë vizuale dhe rrëfimtare midis kulturës shqiptare dhe asaj italiane, një takim botësh dhe përvojash”, tha Antonini.

Ambasadori theksoi rëndësinë që ka gjuha si mjet lidhës midis kulturave dhe brezave. Antonini, u shpreh se kur festohet në gjuhën italiane do të thotë të njohësh fuqinë e saj, për t’u dhënë formë tregimeve të tyre dhe për t’u zhvilluar duke ruajtur rrënjët e saj.

“Në këtë kontekst, gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe një bartëse kujtese, qëndrueshmërie dhe transformimi. Kur një zë flet në italisht, apo në gjuhën e vet amtare, ai njeh qenien e tij, pohon lirinë e vet dhe kapërcen kufijtë gjeografikë, kulturorë dhe personal. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, gjuha italiane lidh breza, vende dhe kultura. Ajo u mundëson atyre që vijnë nga jashtë kufijve tanë jo vetëm të dëgjojnë Italinë, por edhe të hyjnë në dialog me të, si pjesë e diçka që na bashkon pavarësisht ndryshimeve tona. Të festosh gjuhën italiane do të thotë të njohësh fuqinë e saj për të na afruar, për t’u dhënë formë tregimeve tona dhe për t’u zhvilluar duke ruajtur rrënjët e saj”, tha Antonini.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.



Read it all at Bota Sot