Pyetja që po bëjnë të gjithë tifozët e Interit dhe Milanit është e njëjta: si do të jetë stadiumi i ri që do të zëvendësojë “San Siron” legjendar? Që nga momenti kur Bashkia e Milanos miratoi shitjen e “Meazza-s” dhe të zonave përreth dy klubeve, projekti ka marrë vëmendje të madhe, megjithëse rruga drejt ndërtimit është ende e gjatë dhe me hapa burokratikë të rëndësishëm përpara.
Pas zgjedhjes së studios arkitekturore Foster + Partners dhe Manica Architecture për projektin, Interi dhe Milani kanë një afat të prerë në kalendar: 10 nëntor. Brenda kësaj date duhet të përfundohet procesi i blerjes së stadiumit dhe zonës përreth. Vetëm pas këtij hapi do të mund të shmanget vendosja e një statusi mbrojtjeje historike mbi “San Siron”, e cila do ta bënte të pamundur prishjen e tij nëse do të mbetej ende pronë publike.
Ruajtja e kujtesës së “Meazza-s”
Sipas raportimeve të ‘Gazzetta dello Sport’, projekti synon të mos fshijë kujtimin e “San Siros”, por ta rikrijojë ndjesinë e veçantë që ky stadium ka përcjellë për breza të tërë tifozësh. Një nga elementët më karakteristikë që do të ruhet është pjerrësia e tribunave, veçanërisht e dy anësoreve. Në dokumentin përshkrues të projektit përmendet shifra 37 gradë, që përfaqëson këndin e pjerrësisë së tribunave, i njëjti si në unazën e tretë të “Meazza-s” dhe në “Murin e Verdhe” të ‘Signal Iduna Park’ në Dortmund.
Ky detaj tregon se stadiumi i ri do të jetë i ndërtuar mbi vertikalitetin, për të sjellë një atmosferë sa më intensive dhe afër fushës.
Një dizajn kompakt dhe akustikë perfekte
Në dokument theksohet gjithashtu: “Afërsia e spektatorëve me fushën është maksimizuar, duke garantuar një dizajn kompakt dhe të optimizuar që përmirëson akustikën, atmosferën, perceptimin e ngjarjes sportive dhe qasjen në të gjitha sektorët.”
Me fjalë të tjera, stadiumi i ri do të ofrojë një përjetim maksimal si për lojtarët, ashtu edhe për tifozët.
Edhe tempull i muzikës
Projekti parashikon që struktura të mos përdoret vetëm për futboll. Në një vit mund të organizohen deri në 20 koncerte, nga të cilat 12 me ‘yje’ ndërkombëtarë dhe 8 me artistë italianë. Kështu, “San Siro” i ri do të shndërrohet edhe në një qendër të madhe kulturore dhe argëtuese për qytetin e Milanos.
Një ëndërr që kërkon durim
Megjithëse rruga drejt ndërtimit është ende e gjatë dhe plot procedura të domosdoshme, dëshira për të parë si do të jetë stadiumi i së ardhmes së Interit dhe Milanit po rritet dita-ditës.
Por, siç paralajmërojnë vetë klubet, është ende herët për të udhëtuar shumë përpara në kohë, më parë duhet të përfundojnë hapat vendimtarë që do të përcaktojnë përfundimisht fatin e “La Scala-s së futbollit”.