Manchester United drejt stadiumit të ri me 100 mijë ulëse - projekti kushton miliarda euro.
Manchester United është i bindur se mund të arrijë marrëveshje kyçe që do të lejojnë nisjen e projektit madhor për ndërtimin e një stadiumi të ri me 100,000 vende, pa u larguar nga vendndodhja ikonike e "Old Traffordit".
Në mars të vitit 2025, bashkëpronari Sir Jim Ratcliffe prezantoi idenë për të shndërruar "Old Traffordin" në “Wembley-n e Veriut” – një projekt me vlerë rreth 2 miliardë paund (2.3 miliardë euro), që pritet të përfundojë deri në vitin 2030.
Edhe pse afati duket ambicioz, drejtuesit e klubit po bëjnë përparim. Një element vendimtar është blerja e tokës shtesë rreth stadiumit aktual, pasi Man United nuk ka hapësirë të mjaftueshme për ta zhvilluar projektin pa prekur stadiumin ekzistues.
Një nga pengesat kryesore është depoja hekurudhore pranë "Old Traffordit", e cila është në pronësi të kompanisë Freightliner. Pa blerjen e saj, projekti nuk mund të fillojë.
Kryetari i bashkisë së Mançesterit, Andy Burnham, ka deklaruar se mund të përdoren masa të blerjes së detyrueshme nëse negociatat me Freightliner nuk japin rezultat. Kjo kompani e vlerëson pronën e saj në rreth 403 milionë euro.