Manchester United pa Martinezin ndaj Liverpool-it

- Bota Sot

Manchester United pa Martinezin ndaj Liverpool-it

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka dhënë një përditësim mbi gjendjen fizike të skuadrës së tij në prag të ndeshjes së madhe të Premier League ndaj Liverpool-it, që do të luhet këtë fundjavë në “Anfield”.

Gjatë konferencës për shtyp në qendrën stërvitore të Carringtonit, Amorim konfirmoi se mbrojtësi argjentinas Lisandro Martinez është “gati për t’u rikthyer në stërvitje me grupin”, por ende nuk është në dispozicion për ndeshjen e radhës.

Ndërkohë, pjesëmarrja e Noussair Mazraoui-t mbetet e pasigurt për shkak të një shqetësimi fizik.

Trajneri portugez njoftoi gjithashtu se lojtarët e kthyer nga angazhimet me kombëtaret, përfshirë Bruno Fernandes dhe Diogo Dalot, janë gati për lojë. Stafi teknik po menaxhon me kujdes rikuperimin e tyre pas udhëtimeve të gjata, si ato nga Japonia, për t’u siguruar që futbollistët të jenë në formën më të mirë për fundjavën.

“Përpiqemi të ruajmë ekuilibrin që të kemi të gjithë gati,” – deklaroi Amorim, duke shtuar se Bruno Fernandes luajti 62 minuta në ndeshjen e fundit të Portugalisë dhe mori një ditë shtesë pushimi, ndërsa Dalot, që nuk u aktivizua në atë takim, u kthye më herët në Manchester.

Amorim theksoi se menaxhimi i lodhjes është thelbësor për skuadrën, sidomos për lojtarët që vijnë nga impenjime ndërkombëtare, në prag të një përballjeje të zjarrtë me rivalin historik Liverpool.



Read it all at Bota Sot