Ndarja nga jeta e analistit të shquar Janusz Bugajski: Një zë i pavdekshëm për lirinë dhe demokraci

- Bota Sot

Ndarja nga jeta e analistit të shquar Janusz Bugajski: Një zë i pavdekshëm për lirinë dhe demokraci

Në moshën 71-vjeçare, më 18 tetor 2025, ndërroi jetë në Uashington analisti i njohur amerikan i origjinë polake, Janusz Bugajski, një figurë e pazëvendësueshme në analizën e çështjeve euro-atlantike, ballkanike dhe euroaziatike. 

Lajmin e zisë e bëri të ditur ish-drejtori i Zërit të Amerikës për Evropën dhe Eurazinë, Elez Biberaj, i cili shprehu dhimbjen  e thellë për humbjen e mikut dhe kolegut të tij të ngushtë: “Janusz ishte një analist brilant i çështjeve euroaziatike, autor i pafundëm qëndrueshëm mbrojtës i demokracisë, qeverisjes së mirë dhe lirisë së shtypit. Mendimet e tij ishin gjithmonë të qarta, parimore dhe thellësisht të informuara.” thotë Biberaj.

Lindur më 23 shtator 1954 në Nantwich të Anglisë, Bugajski u rrit në një familje polake emigrantësh dhe studioi në Universitetin e Kent-it (B.A., 1977) dhe Shkollën e Ekonomisë së Londrës (M.Phil., 1981). 

Ai emigroi në SHBA në 1986, ku u bë bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), duke krijuar departamentin për Evropën Lindore. Më pas, si bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Uashington, D.C., ai drejtoi analiza të thella mbi ndikimin rus në Ballkan dhe Evropën Lindore. 

Bugajski moderonte emisionin televiziv “Bugajski Hour”, të transmetuar në Ballkan, duke u bërë një zë i besueshëm për audiencat shqiptare, kosovare dhe rajonale.

Kontributet e tij janë të pamata: 

autor i 21 librave mbi Evropën, Rusinë dhe marrëdhëniet transatlantike, veprat e tij formësuan debatet globale. Ndër titujt më të rëndësishëm dallohen “Pivotal Poland: Europe’s Rising Power” (2025), që analizon rolin e Polonisë në NATO-në lindore; “Failed State: A Guide to Russia’s Rupture” (2022), një udhëzues për çarjen e mundshme të Rusisë; “Eurasian Disunion: Russia’s Vulnerable Flanks” (2016, me Margarita Assenovën), që zbulon dobësitë ruse në krahinat periferike; “Conflict Zones: North Caucasus and Western Balkans Compared” (2014), një krahasim i konflikteve etnike; dhe “Return of the Balkans: Challenges to European Integration and U.S. Disengagement” (2013), që kritikon izolimin perëndimor ndaj rajonit. 

Këto vepra, të mbështetura nga hulumtime të thella, ndikuan në politikat e SHBA-së dhe Evropës, duke nxjerrë në pah rreziqet e imperializmit rus dhe nevojën për integrim euro-atlantik.

Bugajski ishte një avokat i palëkundur i pavarësisë së Kosovës, duke argumentuar se njohja ndërkombëtare dhe mbrojtja e komuniteteve multietnike ishin çelësi për paqen e qëndrueshme në Ballkan. Në dëshmitë e tij para Kongresit amerikan, ai theksonte se përparimi i Serbisë lidhej me dialogun konstruktiv me Kosovën dhe integrimin në strukturat euro-atlantike. 

Ai mbështeste gjithashtu dekolonizimin post-rus, duke bashkëpunuar me Forumin e Kombeve të Lira Post-Rusia për të promovuar pavarësinë e vendeve të robëruara nga Moska.

Reagimet pas vdekjes së tij reflektojnë trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme. 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkroi: “Janusz Bugajski do të na mungojë komunitetit intelektual. Ai ishte një mik i vërtetë i Kosovës dhe një mbrojtës i pakompromis i lirisë.” 

Ambsadori polak në SHBA shprehu ngushëllimet zyrtare, duke e cilësuar atë “një studiues të dalluar të Evropës Lindore dhe sigurisë transatlantike.” Veton Surroi, themelues i Koha Media Group, e quajti “zë i lirisë për popujt e Evropës.” 

Edhe Ambasada e Kosovës në SHBA postoi: “Pusho në paqe, Janusz Bugajski.” Figura të tjera, si Anna Fotyga dhe Sławomir Dębski, theksuan miqësinë e tij dhe optimizmin e tij intelektual.

Largimi i Bugajski krijon një boshllëk të madh, por veprat e tij mbeten një udhëzues i pavdekshëm për dekonstruktimin e tiranive dhe ndërtimin e demokracive të qëndrueshme. 

Ai na kujton se analiza e thellë, e mbështetur nga integriteti moral, mund të ndryshojë botën. 

Ngushëllime familjes së tij, veçanërisht bashkëshortes Margarita Assenova, dhe miqve, ka përcjellur edhe komuniteti shqiptar në Nju Jork, Washington, Virginia, Deroit, Dallas dhe Phonix. 

Të gjithë në mesazhet e  tyre ka pikasur se trashëgimia e Bugajski do të jetojë në librat, analizat dhe shpresën që ai mbroiti për një Evropë të lirë dhe të bashkuar.



Read it all at Bota Sot