Kombëtarja e Kosovës do të përballet më 15 nëntor me Slloveninë, në një ndeshje që mund t’i sigurojë “dardanëve” një vend historik në fazën play-off të Botërorit 2026. Për skuadrën e Primozh Gliha-s, edhe një barazim do të mjaftonte për të arritur objektivin.
Megjithatë, përballja ka sjellë edhe një situatë të pazakontë për Federatën Sllovene të Futbollit (NZS).
Vetëm një ditë pas hapjes së shitjes së biletave, ajo u detyrua të pezullojë procesin, për shkak të kërkesave të shumta nga tifozët e Kosovës, të cilët po kërkojnë të ndjekin ndeshjen nga afër.
Në njoftimin zyrtar, NZS thekson se: “Për blerjen e biletave në sektorin e miqve, tifozët duhet të kontaktojnë Federatën e Futbollit të Kosovës.
Ndërkohë, gjatë blerjes së biletave në sektorët për tifozët sllovenë, duhet respektuar rreptësisht të gjitha rregullat e organizatorit. Hyrja në stadium me simbole të kombëtares së Kosovës nuk do të lejohet, përveç në sektorin e caktuar për miqtë.”
Menaxhimi i shitjes së biletave për sektorin e tifozëve të Kosovës i është kaluar tashmë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Pavarësisht kësaj, raportimet tregojnë se një numër i madh tifozësh dardanë kanë arritur tashmë të sigurojnë bileta, duke premtuar një mbështetje të fuqishme në stadiumin e Lubjanës për ndeshjen vendimtare të nëntorit.