Amorim: Ishte fitorja më e madhe që nga ardhja ime te United

- Bota Sot

Amorim: Ishte fitorja më e madhe që nga ardhja ime te United

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, e ka vlerësuar lartë paraqitjet e dyshes së re Amad Diallo dhe Senne Lammens pas fitores 2-1 në “Anfield” ndaj Liverpoolit, në një ndeshje që shënoi triumfin e katërt radhazi për “Djajtë e Kuq”.

Amad Diallo ishte ndër më të dalluarit në fushë, duke asistuar golin e parë të shënuar nga Bryan Mbeumo dhe duke impresionuar në rolin e mbrojtësit të krahut.

Ndërkohë, portieri belg Senne Lammens bëri disa pritje vendimtare, përfshirë ndalimet ndaj Alexander Isak dhe Cody Gakpo.

Pas ndeshjes, Amorim foli me entuziazëm për Diallon.

“Amad po bën shumë mirë në atë pozicion. Ai është perfekt për të. U mërzit pak kur e zëvendësova, por kishte një karton të verdhë dhe po luante shumë përballë me kundërshtarët. Përndryshe, do ta kisha lënë në lojë, sepse është shumë i rëndësishëm për ne,” tha trajneri portugez.

“Ka kaluar disa javë të vështira për shkak të një humbjeje familjare, por ne jemi këtu për ta mbështetur — kjo është gjëja më e rëndësishme.”

Amorim lavdëroi gjithashtu edhe portierin Lammens për kontributin e tij në fitore.

“Ai ishte vërtet i rëndësishëm. Ndonjëherë ke pak fat, sepse ata goditën dy herë shtyllën, por Lammens tregoi karakter, cilësi dhe bëri pritje fantastike. Fitore si kjo vijnë edhe falë tij”, theksoi Amorim.

Duke përmbyllur, trajneri i Manchester United theksoi rëndësinë e këtij suksesi.

“Mendoj se kjo ishte fitorja më e madhe që nga ardhja ime te Manchester United. Do të thotë shumë sot, por nesër do të vlejë vetëm si tre pikë. Gjithsesi, është një fitore e madhe për ne”, përfundoi ai.

Me këtë triumf, United tregon se është në ngritje nën drejtimin e Amorimit, duke fituar vetëbesim për pjesën e mbetur të sezonit.



Read it all at Bota Sot