Lindon Emërllahu beson se Kosova do të shkojë në Botëror

- Bota Sot

Lindon Emërllahu beson se Kosova do të shkojë në Botëror

Kombëtarja e Kosovës ka kualitetin dhe potencialin për t’u kualifikuar direkt nga vendi i parë në Kampionatin Botëror, kështu ka deklaruar mesfushori Lindon Emërllahu në një intervistë.

Emërllahu ishte i suspenduar në barazimin 0-0 ndaj Sllovenisë, megjithatë luajti si inkuadrues në fitoren e madhe të Kosovës në udhëtim te Suedia (0-1).

Ylli i Clujit në një intervistë për Telegrafin deklaroi se “Dardanët” morën tre pikë të arta në Suedi, ndërsa duhet të jenë të bashkuar që ta realizojnë ëndrrën.

“Ndeshja me Suedinë ishte një fitore shumë e madhe për ne duke marrë parasysh renditjen në tabelë, kemi marrë tre pikë të arta dhe të vazhdojmë kështu të bashkuar drejt ëndrrës së madhe”.

Kosova vazhdimisht ndër vite problemin kyç e ka pasur te mesfusha. Megjithatë, me ardhjen e yjeve si Elvis Rexhbecaj, Leon Avdullahu e Veldin Hoxha mesfusha është bërë pika më e fortë e jona.

I lumtur me këtë kualitet të mesfushës po ndahet edhe Emërllahu, i cili e pranoi se po e ka të lehtë të kuptohet me “bashkëlojtarët e rinj”.

“Mesfusha tani ka shumë kualitet. Secili lojtar e luan rolin e vetë dhe në fushë besoj që kuptohemi shumë mes vete, nuk është aspak e vështirë të luash aty ku është kualiteti”.

Ish futbollisti i Ballkanit gjithashtu beson se Kosova mund të kualifikohet direkt nga vendi i parë, ndërsa konfirmoi se me bashkëlojtarët vazhdimisht po e diskutojnë mundësinë që të jenë të kualifikuar në Botëror.

“Në nëntor kemi ndeshje me rëndësi, do të shkojmë ndeshje pas ndeshje dhe të paraqitemi sa më mirë që është e mundur edhe pse jo të kualifikohemi direkt nga vendi i parë. Shpresoj shumë që do të arrijmë këtë gjë”.

“Normal është diskutim pasi që kur ke mundësinë edhe bisedimet ndodhin mes lojtarëve. Është ëndërr që të shkojmë në Botëror, kemi kualitetin dhe potencialin”.

Emërllahu ndër të tjera foli edhe për periudhën që këtë edicion po kalon te CFR Cluj, skuadër që nuk e nisi mirë sezonin por këto xhirot e fundit kanë filluar të këndellen.

Ai nënvizoi se synimi i vetëm i Clujit është dalja në Evropë, kurse personalisht ka për qëllim që të përmirësohet edhe më shumë

“Edicioni nuk ka filluar shumë mirë për ne, patëm vështirësi në disa ndeshje por tani kemi nisur ta marrim vetën si ekip. Synimi këtë sezon është dalja në Evropë dhe besoj që do ta arrijmë në fund të sezonit”.

“Forma ime dita ditës po shkon duke u rritur dhe synoj të vazhdoj me këtë ritëm. Gjithashtu dua të shënoj dhe asistoj sa më shumë që të mundem”, përfundoi ai.

Emërllahu vazhdon të jetë një ndër lojtarët që preferohet shumë nga Foda, me teknikun gjerman që po i jep zakonisht minuta pavarësisht që nuk po e nis nga fillimi shkaku se përballë ka dyshen që po luajnë në Bundesliga, pra Elvis Rexhbecajn e Leon Avdullahun.

Kujtojmë, Kosova në nëntor udhëton për në Slloveni e pastaj e pret Zvicrën në “Fadil Vokrri”.



Read it all at Bota Sot