Shërbimet polake të sigurisë kanë arrestuar 8 persona të dyshuar për përgatitjen e akteve të sabotimit në rajone të ndryshme. Kështu bëri me dije kryeministri Donald Tusk.
Zyrtarët kanë thënë se Polonia është shënjestruar nga zjarrvënie dhe sulme kibernetike në një “luftë hibride” të zhvilluar nga Rusia për të destabilizuar vendet që mbështesin Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, një akuzë që Rusia e mohon.
“ABW (shërbimi i sigurisë së brendshme), në bashkëpunim me shërbime të tjera, ka arrestuar tetë persona në pjesë të ndryshme të vendit ditët e fundit me dyshimin për përgatitjen e akteve të sabotimit”, shkroi Tusk në X.
“Aktivitete të mëtejshme operative po vazhdojnë”, shtoi ai, pa dhënë detaje të tjera. Tomasz Siemoniak, ministri përgjegjës për shërbimet speciale, raportoi nëpërmjet X se “Rastet… kanë të bëjnë me zbulimin e instalimeve ushtarake dhe infrastrukturës kritike, përgatitjen e mjeteve për akte sabotimi dhe ekzekutimin e drejtpërdrejtë të sulmeve”.