Gianluca Rocchi, kreu i arbitrave italianë, ka qenë shumë i qartë për episodin e diskutuar në ndeshjen Milan-Fiorentina:
“Nuk ishte penallti, as rast për VAR”. Fjalët e tij, të raportuara nga “Corriere dello Sport”, u thanë gjatë analizës së brendshme me stafin, pas ndeshjes që Milani e fitoi 2-1 edhe falë penalltisë së dhënë për kontaktin mes Parisi dhe Gimenez në zonë.
Kësisoji, arbitri kryesor Marinelli dhe ai në VAR, Abisso, do të ndëshkohen, por jo rëndë. Pritet që ata të pezullohen me dy ndeshje, konkretisht javën e 8-të dhe 9-të të Serie A, me mundësinë që të rikthehen javën e 10-të, ndoshta me role të ndërruara.
Sipas Rocchi, episodi është i qartë: ka vetëm një kontakt të lehtë të dorës së Parisi në fytyrën e Gimenez, që nuk justifikon penallti. Gabimi më i madh i atribuohet Abisso në VAR, i cili nuk duhej të thërriste arbitrin në “on-field review”. Në “Open VAR” pritet të jepet i njëjti shpjegim, në përputhje me precedentin e ngjashëm Juventus–Inter (Thuram–Bonny).