“Bukë dhe reçel për mëngjes!”- Nicolas Sarkozy nisi sot burgun, kufizimet dhe rutina e re e përditshme për ish-presidentin francez

- Bota Sot

“Bukë dhe reçel për mëngjes!”- Nicolas Sarkozy nisi sot burgun, kufizimet dhe rutina e re e përditshme për ish-presidentin francez

Nicolas Sarkozy po kalon sot ditën e tij të parë në burgun La Santé në kryeqytetin francez, ku po nis zbatimin e dënimit me pesë vite burg për komplot në lidhje me financimin e fushatës së tij elektorale me para nga regjimi i Muammar Gaddafit.

Sarkozy, i cili ishte president i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012, ka paraqitur apel kundër vendimit të gjykatës.

Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), në momentin që ai hyri në burg, të burgosurit e tjerë nga qelitë e tyre e përshëndetën me thirrjen:“Mirësevjen, Sarkozy!”

Hyrja e tij në burg mëngjesin e së martës shënon fillimin e një realiteti të ri për ish-presidentin. Sipas gazetës Le Figaro, pas një nate të parë të vështirë, rutina e tij si i burgosur nis me mëngjesin, jo një vakt tradicional me tabaka, por thjesht bukë dhe reçel të dorëzuar që një natë më parë.

Aktivitetet mes vakteve janë të kufizuara për arsye sigurie. Sarkozy do të ketë qasje në palestër, bibliotekë dhe oborrin e burgut, por për kohë të kufizuar dhe pa shoqërues, përveç rojeve.

Sa i përket komunikimit me botën e jashtme, atij do t’i lejohet të kontaktojë me të afërmit e tij, por kostoja e një telefonate mund të arrijë deri në 110 euro për 20 minuta.

Megjithëse numri i kontakteve nuk është i kufizuar, të gjitha kërkojnë miratimin e prokurorisë. Burgu garanton që telefonatat nuk do të përgjohet, përveç rasteve kur ka arsye sigurie. Sarkozy gjithashtu do të ketë të drejtë për tre vizita në javë, me kohëzgjatje një orë secila.

Kujtojmë se më 25 shtator, Sarkozy u shpall fajtor se kishte lejuar dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në Ministrinë e Brendshme të nisnin bisedime në Tripoli për të siguruar fonde të fshehta për fushatën presidenciale të vitit 2007 nga Libia e Gaddafit.

Sipas gjykatës, financimi nuk u realizua, por tentativa konsiderohet e mjaftueshme për dënim. Vetë Sarkozy i mohon akuzat dhe e cilëson çështjen si politikisht të motivuar.



Read it all at Bota Sot