Bologna në panik, trajneri Italiano shtrohet në spital

- Bota Sot

Bologna në panik, trajneri Italiano shtrohet në spital

Momente shqetësuese për Bologna-n në prag të ndeshjeve europiane. Trajneri i skuadrës, Vincenzo Italiano, është shtruar në spital mbrëmjen e së hënës, më 20 tetor, për shkak të pneumonisë me origjinë të mundshme bakteriale.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, ku sqarohet se trajneri nuk është prekur nga Covid-19, por është nën kujdes mjekësor në departamentin e pneumologjisë të Poliklinikës “Sant’Orsola-Malpighi” në Bolonjë, të drejtuar nga profesori Stefano Nava.

“Për trajtimin e gjendjes u vendos të nisë një terapi specifike me antibiotikë. Trajneri do të qëndrojë i shtruar për rreth pesë ditë. Gjendja e tij klinike po përmirësohet gradualisht dhe përditësimet do të jepen në ditët në vijim. I gjithë klubi i uron Vincenzos shërim të shpejtë”, thuhet në komunikatën e klubit.

Italiano do të mungojë në pankinë për ndeshjen e Europa League që Bologna do të luajë të enjten, më 23 tetor, ndaj FCSB-së rumune, në orën 18:45.

Në pritje të përmirësimit të trajnerit, skuadra do të drejtohet përkohësisht nga ndihmësi i tij, ndërsa i gjithë ambienti i klubit i qëndron pranë teknikut 46-vjeçar, duke i uruar shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë në stërvitje.



Read it all at Bota Sot