Chivu kërkon fitoren e tretë në Champions

- Bota Sot

Chivu kërkon fitoren e tretë në Champions

Pas fitores së rëndësishme ndaj Romës në “Olimpico”, trajneri Cristian Chivu i ka kërkuar skuadrës së tij të harrojë menjëherë suksesin dhe të përqendrohet plotësisht në ndeshjen e Champions League kundër Union Saint-Gilloise.

“Duhet të nderojmë kompeticionin dhe historinë tonë,” ka deklaruar tekniku rumun në konferencën për shtyp, duke u përpjekur të shmangë çdo rënie përqendrimi në prag të ndeshjes në Belgjikë.

Interi po kalon një moment të shkëlqyer me gjashtë fitore radhazi në të gjitha kompeticionet, por Chivu paralajmëron lojtarët e tij të mos e nënvlerësojnë kundërshtarin, edhe pse në horizont shihet përballja e madhe e fundjavës kundër Napolit.

Në portë nuk do të ketë surpriza, Sommer do të jetë sërish titullar. Në mbrojtje priten disa rotacione për të ruajtur energjitë në prag të sfidës me Napolin. Stefan De Vrij pritet të rikthehet në qendër, ndërsa Yann Bisseck mund të marrë vendin e Manuel Akanjit, i cili ka luajtur vazhdimisht në javët e fundit.

Carlos Augusto, i mbajtur në pankinë kundër Romës, mund të startojë këtë herë, ose si mbrojtës i majtë në vend të Bastonit, ose në rolin e “pesës” në krah, duke pushuar Di Marcon.

Në mesfushë, Petar Sucic pritet të ketë hapësirë nga minuta e parë, krah Calhanoglu-t dhe njërit ndër Barella apo Zielinski. Mkhitaryan pritet të ruhet për ndeshjen kundër Napolit.

Chivu ka theksuar se “të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm dhe mund të luajnë”, duke treguar se rotacionet janë pjesë e planit strategjik të skuadrës për të përballuar një cikël të ngarkuar me tre ndeshje jashtë fushe.



Read it all at Bota Sot