Tudor justifikon mungesën e rezultateve

- Bota Sot

Tudor justifikon mungesën e rezultateve

Në prag të ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Real Madridit, trajneri i Juventusit, Igor Tudor, u shfaq i vendosur dhe i qetë përpara mediave.

Sipas tij, skuadra e bardhezi nuk po kalon krizë, por po përballet me një kalendar “të çmendur” që ka ndikuar në rezultatet e fundit.

“Pres një reagim të madh nga djemtë. Do të bëjmë një ndeshje në nivel të lartë,” deklaroi Tudor në konferencën për shtyp.

Ai tha se nuk i kushton rëndësi zërave për të ardhmen e tij apo kritikave të tifozëve: “Nuk lexoj gazetat, as pas fitoreve, as pas humbjeve. Detyra ime është të ndihmoj lojtarët të përmirësohen dhe të analizoj çdo ndeshje me objektivitet.” Trajneri kroat mohoi se skuadra është në krizë, duke kërkuar “ndershmëri intelektuale” në analizën e situatës. “Shikoni kalendarin: tre ndeshje në Champions kundër Borusias, Vilarrealit dhe Realit, ndërsa në kampionat kemi luajtur kundër Interit, Atalantës dhe Milanit. Është normale që të ketë lodhje dhe vështirësi,” theksoi ai. Tudor kujtoi se në disa ndeshje ekipi ka qenë më i mirë, por mungesa e fatit ka bërë diferencën.

“Kundër Interit bëmë një super paraqitje, ndaj Atalantës dominuam, në Verona nuk na dhanë penallti dhe morëm një karton të kuq.

Me Milanin morëm një pikë të rëndësishme, edhe pse tifozët ishin të zhgënjyer,” u shpreh trajneri. Sipas tij, Juventus do të ishte në krye të renditjes pa disa episode të diskutueshme.

“Me një short normal dhe pa gabimet e Veronës do të ishim të parët, jam i bindur për këtë. Analizoj performancën dhe shoh një skuadër që po jep gjithçka,” shtoi ai.

Megjithatë, Tudor pranoi se ka vend për përmirësim, si për vete, ashtu edhe për lojtarët: “

Të gjithë mund të japim më shumë. Duhet të jemi të përulur, të ndershëm me veten dhe të mos dramatizojmë çdo barazim.” Në lidhje me sfidën e radhës kundër Real Madridit, ai paralajmëroi:

“Do të jetë një betejë e vërtetë. Duhet të jemi të egër dhe me guxim, sepse përballë kemi kampionë të vërtetë.

Mbape është vendimtar për ta, por nuk duhet të përqendrohemi vetëm tek ai.”

Sa i përket gjendjes së mbrojtësit Huan Kabal, Tudor sqaroi se lojtari është në rikuperim dhe pritet të rifillojë stërvitjen në fundjavë.

Në krah të trajnerit doli edhe mesfushori Kefren Turam, i cili mbrojti punën e stafit dhe kërkoi unitet në grup.

“Kemi një trajner të shkëlqyer që beson tek ne.

Duam të përmirësohemi dhe të fitojmë çdo ndeshje. Përgjegjësia është e jona, jo vetëm e misterit,” tha ai. Turam foli edhe për përballjen me bashkëkombasin Mbape:

“E dimë se çfarë lojtari është, ndoshta më i miri në botë. Por edhe ne jemi të fortë dhe duam të tregojmë vlerën tonë.

”Mesazhi nga ambienti bardhezi është i qartë: pa panik, me besim dhe vendosmëri për t’u rikthyer në fitore, pavarësisht kalendarit të vështirë dhe presionit që vjen nga jashtë.



Read it all at Bota Sot