Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij qyteti , caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit, për shkak të dyshimit të veprës penale “Kontrabandimi me migrantë”.
Kjo pasi sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 21.10.2025 rreth orës 20:20, në fshatin Seqishtë, komuna Hani i Elezit, saktësisht tek vendi i quajtur Parku memorial “Bllaca 99”, i mituri me qëllim të kontrabandimit me migrantë, ka organizuar-kontrabanduar kalimin e jashtëligjshëm të migrantëve, saktësisht pesë persona me shtetësi kineze, duke kaluar vijën kufitare Kosovë-Maqedoni e Veriut.
"I mituri fillimisht ishte takuar dhe kishte komunikuar me personat në fjalë në shtetin e Republikës së Serbisë, dhe kishin bërë marrëveshje që për secilin person të marrë pagesë në vlerë prej 20,00 Euro, e më pas i merr personat në fjalë nga shteti i Serbisë hyjnë në shtetin e Kosovës, ku i mituri siguron një automjet, ku e drejton një person deri më tani i panjohur, dhe i fusin në veturë që të gjithë, e më pas të njëjtit i dërgon në drejtim të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, saktësisht tek vija kufitare Kosovë-Maqedoni Veriore, ku aty nga njësiti patrullues kufitar janë vërejtur dhe kanë arritur të ndalojnë që të gjithë dhe ti shoqërojnë në stacionin policorë kufitar rajoni Lindje-Kaçanik, ku i mituri edhe është arrestuar, me këtë kishte për të kryer veprën penale “Kontrabandim me migrantë”", thuhet në njoftim.
Tutje thuhet në njoftim se i dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit 24 orësh që nga 21 tetori.