Fitorja spektakolare e Paris Saint-Germain në fushën e Bayer Leverkusen, një ndeshje e çmendur me nëntë gola dhe dy përjashtime, ka sjellë në qendër të vëmendjes një emër të vetëm: Vitinha. Mesfushori portugez zhvilloi një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve, duke udhëhequr skuadrën e Luis Enrique-s me klas dhe qetësi.
Në duelin e djeshëm, Vitinha regjistroi një gol dhe një asistim, duke konfirmuar pse sezonin e kaluar u votua si lojtari i tretë më i mirë në botë. Përveç këtyre statistikave, ai realizoi dy pasime kyçe dhe arriti një saktësi pasimi prej 98,4 për qind, duke diktuar ritmin e lojës si një dirigjent i vërtetë.
Media franceze nuk kurseu elozhet. RMC Sport shkroi se “Vitinha, ndoshta lojtari më mbresëlënës në fushën e ‘BayArena’-s, ishte kudo dhe vendosi ritmin e skuadrës”. Në Francë, të gjitha gazetat e mëdha e kanë vlerësuar mesfushorin portugez si zemrën dhe mendjen e PSG-së.
Edhe Ousmane Dembélé, që luajti për herë të parë si fitues i “Topit të Artë”, u shpreh pa hezitim:
“Është maestroja jonë. Ka vazhduar në të njëjtën linjë si sezonin e kaluar.”
Trajneri Luis Enrique i bashkohet vlerësimeve:
“Nuk është momenti për të folur vetëm për një lojtar, por Vitinha është i pabesueshëm. Ai kontrollon gjithmonë ritmin dhe e kupton çfarë duhet të bëjmë. Shumë më kritikuan kur e vendosa si numër 6, por ai mund të luajë kudo.”
Ndërsa analisti i njohur Daniel Riolo nga RMC e përmbylli më së miri lavdinë e natës:
“Është marramendës, i mrekullueshëm... Vitinha është një lojtar absolutisht jashtë çdo kategorie. Ndoshta është mesfushori më i mirë në botë sot. Dhe nuk mendoj se po e teproj kur e them këtë.”
Përkrah tij, edhe Nuno Mendes shkëlqeu dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, duke vulosur një mbrëmje triumfi për portugezët e PSG-së.