Robert Lewandowski vijon të jetë një nga emrat më të përfolur në afatin kalimtar.
Sulmuesi polak, i cili ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2026, mund të bëhet një rast i favorshëm për klubet e interesuara në fund të sezonit.
Edhe pse dëshira e tij është të qëndrojë në “Camp Nou” dhe të luajë në nivele të larta, mungesa e çdo sinjali për rinovim nga klubi katalanas po e shtyn “Leva”-n drejt tregut të transferimeve.
Këtë sezon, 36-vjeçari ka humbur ndjeshëm statusin e titullarit të padiskutueshëm. Trajneri Hansi Flick nuk e aktivizon rregullisht nga minuta e parë, ndërsa në Ligën e Kampionëve Lewandowski ka luajtur vetëm 88 minuta në total. Për më tepër, konkurrenca me të rinjtë si Fermin Lopez, që shkëlqeu me një “tripletë” ndaj Olympiacos, e ka vështirësuar edhe më shumë pozitën e polakut në skuadër.
Sipas mediave britanike, Manchester United është klubi më i interesuar për shërbimet e Lewandowskit. E përditshmja “StarSport” raporton se trajneri Ruben Amorim e vlerëson shumë eksperiencën dhe cilësitë e tij, madje është gati t’i sigurojë një vend të rëndësishëm në formacionin e “Djajve të Kuq”.
Megjithatë, deri tani nuk ka pasur kontakte zyrtare mes palëve, vetëm sondazhe fillestare.