Vendimi për të zhvilluar ndeshjen mes Milan dhe Como në Australi ka shkaktuar polemika që shkojnë përtej sportit dhe kanë arritur deri te Bashkimi Europian.
Komisioneri Europian për drejtësinë ndërgjeneracionale, rininë, kulturën dhe sportin, Glenn Micallef, u shpreh mbi vendimin e UEFA-s për të lejuar këtë udhëtim transoqeanik.
Micallef përmendi edhe rastin e Ligës spanjolle, e cila anuloi ndeshjen Barcelona–Villarreal në Miami dhe e riktheu atë në Spanjë, duke krijuar një efekt domino që lidhet edhe me ndeshjen e Serisë A, e cila parashikohet të zhvillohet në Perth më 7-8 shkurt 2026.
“Përshëndes vendimin e Ligës për të anuluar ndeshjen në Miami. Është një fitore për tifozët, lojtarët dhe traditat që bëjnë të veçantë futbollin europian.
Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku me ligat, klubet dhe UEFA-n për të ruajtur integritetin, konkurrencën e drejtë dhe lidhjen e klubeve me komunitetet e tyre.
Kam besim që edhe Seria A do të reflektojë mbi këtë qasje. Mbajtja e futbollit tonë të rrënjosur në Europë na forcon të gjithëve,” shkroi Micallef në rrjetet sociale.
Tani vendimi kalon te FIFA, e cila së bashku me Konfederatën Aziatike të Futbollit duhet të japë miratimin për projektin e Lega Serie A, megjithatë duket e vështirë që Milan dhe Como të luajnë në Itali për raundin e 24-t.