Kthimi i Musialës

- Bota Sot

Kthimi i Musialës

Kthimi i shumëpritur i Jamal Musialës po afrohet më në fund. Rreth tre muaj e gjysmë pas dëmtimit të tij të rëndë, ylli i Bajernit të Mynihut u rikthye për herë të parë në terrenin stërvitor të Sebener Shtrase të enjten.

Edhe pse 22-vjeçari kreu vetëm një seancë të vogël stërvitore, prania e tij në fushë po gjeneron tashmë një entuziazëm shtesë te kampionët gjerman. Sipas “Sky” dhe “Bild”, detyra e parë e Musialës ishte të bënte ushtrime koordinimi dhe disa xhiro vrapimi.

“Për mua ishte fantastike të isha sërish në fushë. U ndjeva shumë mirë. Këmba ime u ndje mirë,” u citua Musiala të thoshte në faqen zyrtare të klubit bavarez pas ushtrimeve të koordinimit me trajnerin e fitnesit Simon Martinelo.

“Ky ishte një hap shumë i madh.” Vetë Bajerni e quajti këtë moment një “gur kilometrik.” Talenti ofensiv pësoi një zhvendosje të kyçit të këmbës dhe një frakturë në fibulë pas një përplasjeje me portierin e atëhershëm të PSG-së, Xhanluixhi Donaruma, më 5 korrik gjatë Kupës së Botës për Klube.

Një dëmtim i rëndë që e la jashtë fushës për muaj të tërë dhe krijoi një boshllëk të dhimbshëm si te Bajern, ashtu edhe te kombëtarja gjermane.

Ndërsa mbetet ende e paqartë kur Musiala do të mund të rikthehet plotësisht në stërvitjen me skuadrën, brenda klubit po rritet besimi se ai mund të luaj ndeshjet e para zyrtare për bavarezët para fundit të këtij viti kalendarik. Drejtori sportiv Kristof Frojnd ka vënë re së fundmi përparime të dukshme dhe komentoi pas fitores 4-0 në Ligën e Kampionëve:

“Do të duhet ende pak kohë. Por gjërat po ecin përpara dhe situata po duket goxha pozitive. Ai tani mund të vendos peshë të plotë mbi këmbën e tij.”

Për vetë Musialën, dëmtimi më serioz i karrierës së tij profesionale deri më sot nuk ka qenë vetëm vuajtje, por edhe një mësim. Në thelb, një dëmtim i tillë është “një mundësi për ta njohur më mirë trupin e tij dhe për të fituar përvojë. Bëhet fjalë për ta shfrytëzuar një pengesë dhe për tu rikthyer më i fortë.” Ai shtoi: “Për shembull, tani shoh se sa shumë argëtim të jep futbolli dhe sa shumë e dua këtë sport.”



Read it all at Bota Sot