Juventus pëson një tjetër goditje të rëndë

- Bota Sot

Juventus pëson një tjetër goditje të rëndë

Pas disfatës në kampionat ndaj Komos, Juventus pëson një tjetër goditje të rëndë, këtë herë në Champions League kundër Real Madridit.

Në “Santiago Bernabéu”, skuadra bardhezi e drejtuar nga Igor Tudor u përpoq me forcë të mbante hapin ndaj 15 herë kampionëve të Europës, duke luftuar për më shumë se një orë me disiplinë dhe karakter, por në fund u dorëzua përballë superioritetit teknik të “Los Blancos”.

Në fushë, madrilenët dominuan në zotërimin e topit dhe krijuan disa raste të pastra, të ndaluara vetëm nga pritjet e shkëlqyera të portierit Di Gregorio dhe ndërhyrja shpëtuese e Gatit në vijën fatale. Megjithatë, edhe Juventus pati mundësitë e veta për të kaluar në avantazh, por Vlahoviç dhe Openda humbën raste të arta përballë Kurtua, duke humbur mundësinë për të ndryshuar fatin e ndeshjes.

Reali, si zakonisht, u tregua i pamëshirshëm në zonën e rreptësisë. Vinicius Xhunior dhe Belingham, me kombinimet e tyre të shpejta dhe saktësi kirurgjikale, ndëshkuan gabimet e mbrojtjes juventine dhe vulosën një fitore të merituar. Cilësia dhe ritmi i lartë i lojës bënë diferencën në një përballje të ekuilibruar vetëm në aspektin fizik. Për Tudor, kjo ishte një provë që solli një ndjesi të dyfishtë: nga njëra anë një skuadër më agresive dhe kompakte se në ndeshjet e fundit; nga ana tjetër, mungesë qartësie dhe shpejtësie në ndërtimin e aksioneve. Edhe zgjidhja taktike me Kopmeiners para mbrojtjes, në vend të Lokatelit, nuk mjaftoi për të rritur cilësinë e pasimeve në mesfushë.

Në zonën sulmuese, Ildiz nuk arriti të bënte diferencën, i izoluar mes linjave spanjolle dhe shpesh i mbuluar nga presioni i ashpër i kundërshtarëve. Juventus u tregua tepër i ngadaltë në ndërtim dhe i pasaktë në momentin e fundit, duke lënë përshtypjen e një ekipi që lufton, por ende nuk beson plotësisht në vetvete. Tudor duhet të punojë fort për të rikthyer freskinë dhe konkretësinë e munguar.

Përveç Champions-it, ku pas dy barazimeve dhe një humbjeje bardhezinjtë aktualisht do të mbeteshin jashtë 24 skuadrave më të mira, edhe kampionati kërkon një kthesë të menjëhershme. Në Madrid, Juventusi tregoi zemër dhe disiplinë, por jo mprehtësi. Dhe në nivele të tilla, zemra nuk mjafton për të marrë rezultat.



Read it all at Bota Sot