Daja, i lumtur pas fitores së Dinamos: Qardakun e kemi provuar

- Bota Sot

Daja, i lumtur pas fitores së Dinamos: Qardakun e kemi provuar

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka theksuar se fitorja e sotme ndaj Vorës ishte e rëndësishme për faktin se ekipi zhvilloi një paraqitje të mirë në bllok.

“Në start të ndeshjes e dinim që kishim një ekip që deri tani ka bërë goxha mirë, është ekip luftarak e kërkon më shumë me presing apo topat e dytë kërkon të befasojë.

Është ekip me shtatlartësi, i rrezikshëm me goditje standarte, se kishin edhe raste me qendërsulmuesin.

Por ajo që ishte e mira jonë, ishte që duke pasur një kundërshtar të vështirë me një pikë pas nesh në klasifikim, kishim minutazh të madh në kontroll. Kemi krijuar e ishim gjithë kohës në ekuilibër, edhe ata që hynë nga stoli bënë mirë, se në momentin kur po binte ritmi i lojës, përveç freskisë, hynë në lojë shumë shpejt.

Funksionoi mirë nga lojtarët e pozicionuar në të majtën. Në aspektin taktik, numri 6 i tyre, Tabaku, ngjitej në presing dhe krijohej një hapësirë për të shfrytëzuar me Qardakun. Ndaj përqindja më e madhe ishte ndërtimi i sulmit nga krahu i majtë.

Meqë kemi pasur probleme me Qefaliajn e Karambën, e kemi provuar Qardakun në atë pozicion që në fazë përgatitore. Ka bërë mirë, është opsion nga ana ime dhe po bën mirë, por dihet se është sulmues dhe dihet që e kanë më të lehtë të veprojnë në zona të ngushta.

Neziri është marrë nga Kosova ku ka qenë lojtar krahu e ka shënuar. Sigurisht, do kohën e vet, ka shpejtësi të konsiderueshme. Sot ka bërë shumë mirë, duke marrë kohën e vet, do bëjë më mirë akoma. Ka qenë prezantimi i Nezirit nga starti në mënyrën më të mirë të mundshme.

Meksi ka luajtur pothuajse gjithë kampionatin e vjetshëm, tani Maliqi po bën më mirë. Ne i kemi të qartë që kush bën mirë e mban vendin. Sigurisht do ta mbajë, Meksi nuk ka problem shëndetësor, por është Maliqi në formë më të mirë se Meksi dhe po luan Maliqi.

Fitoren sot ia kushtojmë Bregut e Bernard Berishës se të dy kanë ditëlindjen, jam i kënaqur që morëm këtë trepikësh dhe ia kushtojmë atyre”, theksoi Daja.



Read it all at Bota Sot