Ukraina pritet së shpejti të merr ndihmë të re ushtarake nga Britania e Madhe

- Bota Sot

Ukraina pritet së shpejti të merr ndihmë të re ushtarake nga Britania e Madhe

Kryeministri britanik Keir Starmer priti sot në Londër presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe kryeministrin holandez Dick Schoof për një konferencë të përbashkët për shtyp.

Konferenca u mbajt si pjesë e një takimi të një grupit të njohur si Koalicioni i të vullnetshmëve. Ata u bashkuan virtualisht nga presidenti i Francës Emmanuel Macron.

Iniciativa bashkon më shumë se 20 vende që janë zotuar të mbështesin Ukrainën në mbrojtjen e saj dhe të ushtrojnë presion mbi Rusinë për ti dhënë fund agresionit të saj.

Keir Starmer hapi konferencën me fjalë mbështetjeje për Ukrainën, duke thënë se lufta e Ukrainës është edhe lufta jonë.

"Siguria juaj është edhe siguria jonë. Ne po luftojmë jo vetëm për Ukrainën, por edhe për lirinë dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve evropianë dhe britanikë", tha Starmer dhe shtoi se Koalicioni i të Vullnetshmëve është i bashkuar pas Ukrainës dhe Donald Trump në thirrjen që luftimet të ndalen tani.

"Trump kishte të drejtë kur futi sanksione të reja ndaj kompanive ruse të naftës dhe Mbretëria e Bashkuar dhe BE bënë të njëjtën gjë së fundmi. Ne duhet ta vazhdojmë këtë presion."

Starmer njoftoi përshpejtimin e prodhimit të raketave për Ukrainën, duke deklaruar se programi për ndërtimin e 140 raketave do të përfundojë përpara afatit.

Ai tha gjithashtu se forcimi i mbrojtjes antiajrore të Ukrainës do të vazhdojë dhe se vendet partnere do të punojnë për garancitë e sigurisë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

"Putin është i vetmi person që nuk dëshiron që kjo luftë të ndalet. Në vend të kësaj, ai po bën kërkesa absurde për tokën ukrainase që nuk mund ta merrte me forcë. Koalicioni ynë do të vazhdojë ta shtyjë atë drejt qëllimit përfundimtar", përfundoi Starmer.

Duke folur për situatën në terren, presidenti Zelensky tha se Rusia po kryen një fushatë terrori kundër sistemit të tyre energjetik dhe po përpiqet të përdorë dimrin për të torturuar dhe thyer popullin ukrainas.

"Qëllimi i tyre nuk ka ndryshuar, ata duan të na thyejnë. Ata duan të thyejnë Ukrainën dhe po bëjnë gjithçka për ta arritur këtë. Sanksionet mbeten ende një instrument thelbësor presioni ndaj Rusisë në mënyrë që të ndalet përfundimisht lufta", tha Zelensky.

Takimi i sotëm u mbajt në një kohë kur sanksionet kundër Moskës u forcuan dhe qëllimet janë rritja e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën para dimrit që po vjen.



Read it all at Bota Sot