Thellë pas vijës armike, Ukraina ka goditur në mënyrë të përsëritur infrastrukturat e naftës së Rusisë gjatë muajve të fundit.
Që nga gushti, Kievi ka sulmuar objektet energjetike ruse më shumë se 60 herë, raporton skynews.
Kjo ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ka penguar rrjedhën e naftës dhe produkteve përmes sistemit të tubacioneve të Rusisë.
Një komandant i lartë në Regjimentin e 14-të të Goditjes në Thellësi – një nga njësitë që drejton këtë fushatë – i tregon agjencisë së lajmeve Reuters se si është të kryesh këto sulme dhe si organizohen ato.
I identifikuar vetëm me emrin “Charlie”, ai thotë se disa dronë kanë fluturuar deri në 2000 km për të arritur objektivat e tyre.
“Ne kemi të bëjmë me një kundërshtar mjaft të aftë”, tha ai dhe vazhdoi të shpjegojë “ata [rusët] kanë një nivel të lartë trajnimi dhe përshtaten shpejt me metodat dhe taktikat që ne përdorim”.
Lufta me dronë ka evoluar me shpejtësi që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në fillim të vitit 2022 dhe është bërë një aspekt vendimtar i luftimeve.
Charlie nuk tha sa dronë dërgohen përafërsisht në çdo sulm, dhe as nuk foli për rolin e rëndësishëm që ka luajtur inteligjenca amerikane në ndihmën ndaj Ukrainës për të gjetur objektivat e saj.
Por ai thekson se Ukraina përqendrohet te cilësia e dronit, e jo te sasia.
Charlie shton “nuk duhet harruar që armiku ka sistemin më të fuqishëm të mbrojtjes ajrore në kontinent. Armiku gjithashtu ka investuar shumë në zhvillimin e luftës elektronike dhe mjeteve elektronike për të zbuluar UAV-të tona”.
Megjithatë, Ukraina vazhdon të gjejë boshllëqe në mbrojtjen ruse, duke goditur rafinerinë e naftës në pronësi të Rosneft në Rjazan, vetëm të mërkurën në mbrëmje.