Shërbimi i sigurisë së brendshme të Gjeorgjisë njoftoi se ka arrestuar tre shtetas kinezë në kryeqytetin Tbilisi, për përpjekje për të blerë ilegalisht dy kilogramë uranium “material bërthamor”, raportoi agjencia e lajmeve Interpress e Gjeorgjisë.
Interpress citoi zëvendësshefin e Shërbimit të Sigurisë Shtetërore të Gjeorgjisë të thoshte se tre të ndaluarit kishin planifikuar të blinin uranium për 400,000 dollarë dhe ta transportonin atë në Kinë , nëpërmjet Rusisë.
Uraniumi ishte "material bërthamor", tha agjencia, pa dhënë hollësi mbi motivin e blerjes së planifikuar.
Aty citohej zyrtari i sigurisë të thoshte se të ndaluarit përballeshin me akuza që mund t’i çonin në burg deri në 10 vjet.
Ndryshe, siguria e materialeve bërthamore të mbetura nga epoka sovjetike ishte një nga shqetësimet më të mëdha pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, anëtar i të cilit ishte Gjeorgjia.
Gjatë dekadave të fundit, në Gjeorgji ka pasur disa incidente serioze që përfshijnë tregtinë e paligjshme të materialeve bërthamore.
Në korrik, Gjeorgjia arrestoi një shtetas gjeorgjian dhe një shtetas turk, të akuzuar për blerje, posedim dhe asgjësim të paligjshëm të substancave radioaktive, të cilat shërbimi i sigurisë kombëtare tha se mund të ishin përdorur për të bërë një bombë vdekjeprurëse.