Kapiteni i Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhi ka qenë protagonist kryesor në fitoren e skuadrës së tij Konjaspor ndaj Genxhlerbirli në Superligën e Turqisë.
Ekipi i futbollistit shkupjan triumfoi me rezultat 2:1 për tre pikë në kampionatin turk, teksa golin e dytë dhe të fitores e shënoi pikërisht Enis Bardhi në minutën e 49-të të takimit, pasi më herët për Konjan kishte shënuar Najir, teksa për vendasit Ulgun.
Për futbollistin shqiptar ky është goli i tretë që shënon këtë sezon me fanellën e Konjasporit, pasi më herët kishte gjetur rrjetën edhe ndaj Alaniasporit dhe Ejupsporit.
Enis Bardhi po luan sezonin e parë me Konjasporin, tek të cilët u transferua këtë verë dhe për momentin mbajnë pozitën e 8-të në Superligën e Turqisë me 14 pikë të grumbulluara.