Në javën e tetë të Serie A, Fiorentina dhe Bologna dhuruan spektakël në “Artemio Franchi”, duke barazuar 2-2 në një sfidë të mbushur me emocione, VAR dhe polemika.
Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 26-të me një goditje të fuqishme të Castros, ndërsa në pjesën e dytë Cambiaghi dyfishoi rezultatin në minutën e 52-të me një prekje të saktë në zonë. Bologna dukej e sigurt drejt fitores, por gjithçka ndryshoi në fund.
Në minutën e 73-të, Gudmundsson realizoi nga pika e bardhë pas një faulli me dorë të verifikuar nga VAR-i, ndërsa në kohën shtesë (94’), Kean shënoi golin e barazimit, sërish me penallti pas një tjetër ndërhyrjeje me dorë në zonë.
Bologna mbeti me dhjetë lojtarë pas përjashtimit të Holm-it për dy kartonë të verdhë, ndërsa protestat për një episod të diskutueshëm në zonën e Fiorentinës u ndezën në fundin e ndeshjes.
Një barazim i çmuar për ekipin e Stefano Piolit, që shmang humbjen në limite, ndërsa Bologna largohet nga Firenze me shumë pakënaqësi pas një ndeshjeje që mund ta kishte fituar.