As Santosi nuk e do në skuadër Neymarin

- Bota Sot

As Santosi nuk e do në skuadër Neymarin

Ylli brazilian Neymar po përballet me pasiguri të madhe për të ardhmen e tij te Santos, pas një rikthimi zhgënjyes në klub verën e kaluar.

Sulmuesi nuk ka arritur të rifitojë formën e tij më të mirë, duke shënuar vetëm 3 gola në 13 ndeshje kampionati, ndërsa nuk është ftuar as nga trajneri Carlo Ancelotti në Kombëtaren e Brazilit.

Santos ndodhet aktualisht në vendin e 16-të, me të njëjtin numër pikësh si Vitoria, që është në zonën e rënies nga kategoria.

Për këtë arsye, fokusi i klubit dhe i Neymarit është ruajtja e statusit në elitë, jo rinovimi i kontratës.

Me kontratën që skadon në dhjetor, Neymar është lidhur me një sërë klubesh të huaja – mes tyre Inter Miami, ku mund të ribashkohej me Lionel Messin, si dhe me Napolin e Interin në Itali.

Megjithatë, qëndrimi te Santos ende mbetet një mundësi, edhe pse raportet nga “O Globo” sugjerojnë se klubi aktualisht nuk është i gatshëm ta rinovojë marrëveshjen.

Sipas raportit, babai dhe menaxheri i tij, Neymar Sr është takuar me drejtuesit e Santos javën e kaluar për të diskutuar një zgjatje kontrate deri në Kupën e Botës 2026.

Edhe pse më herët klubi kishte qenë optimist për një marrëveshje të re, situata e vështirë në kampionat ka bërë që çdo vendim për të ardhmen e Neymarit të mbetet pezull.



Read it all at Bota Sot