Brigitte Macron nis betejën ligjore, 10 persona në gjyq për ngacmimet seksiste në internet

- Bota Sot

Brigitte Macron nis betejën ligjore, 10 persona në gjyq për ngacmimet seksiste në internet

Një front i ri gjyqësor u hap për Brigitte Macron për të ndaluar fushatën e shpifjeve që e ka targetuar prej katër vitesh. Në kryeqytetin francez nisi dje, 27 tetor, një proces i ri lidhur me lajmin e rremë që akuzon zonjën e parë të Francës se është grua transgjinore, me një të kaluar mashkullore nën emrin e vëllait të saj, Jean-Michel Trogneux.

Akuzat, të shpërndara kryesisht në rrjetet sociale, pretendonin se Brigitte ishte lindur mashkull dhe kishte fshehur një tranzicion gjinor. Dhjetë persona janë dërguar në gjyq për “cyberbullizëm seksist”. Procesi vjen pas padisë që Brigitte Macron dorëzoi në gusht 2024, në kulmin e fushatës shpifëse online. Hetuesit kanë kryer disa bastisje për të identifikuar përhapësit e lajmit të rremë në Francë dhe kanë identifikuar tetë burra dhe dy gra, nga 41 deri në 60 vjeç.

Në seancën e parë, ku zonja e parë nuk mori pjesë personalisht dhe përfaqësohej nga avokatët e saj, u rikujtua gjithashtu se në fund të korrikut, çiftit Macron iu desh të niste një tjetër veprim ligjor për shpifje në SHBA ndaj influencueses pro-Trump, Candace Owens. Influencuesja ripostoi përtej Atlantikut këtë gënjeshtër transfobike, e cila kishte origjinën në rrethet konspirative ekstremiste të djathta franceze dhe u përhap globalisht përmes mediave sociale të komunitetit Maga.

Mes të akuzuarve që u paraqitën dje në gjykatë ishte Aurélien Poirson-Atlan, 41 vjeç, reklamues i njohur online me emrin “Zoé Sagan”. Llogaria e tij në X (ish-Twitter), tashmë e pezulluar, ka qenë qendrore në disa denoncime dhe shpesh përmendet si një nyje e botës konspirative në Francë. Në gjyq u paraqit edhe Delphine J., 51 vjeç, e cila e përshkruan veten si “medium” dhe është e njohur në rrjetet sociale si Amandine Roy.

Në vitin 2021, ajo i dha zë teorisë konspirative përmes një video-interviste me Natacha Rey, e paraqitur si “gazetare e pavarur” dhe figurë kyçe në këtë lajmi të rremë. Të dyja gratë ishin dënuar në shkallën e parë për shpifje, por më pas u shpallën të pafajshme në apel në korrik të kaluar. Brigitte Macron dhe vëllai i saj kanë bërë ankim në Kasaçion.

Mes të tjerëve të akuzuar janë një këshilltar komunal 65-vjeçar, një galerist arti 56-vjeçar, një mësues 54-vjeçar, një agjent imobiliar 65-vjeçar dhe një informaticien 49-vjeçar. Sipas prokurorisë së Parisit, të gjithë ata kanë përhapur komente të rreme dhe ofenduese ndaj Brigitte, duke sulmuar sidomos “gjininë” dhe “seksualitetin” e saj dhe duke lidhur ndryshimin e moshës me bashkëshortin me pretendime të pabaza për “pedofili”.

Dhjetë të akuzuarit dyshohet se kanë ndihmuar gjithashtu në përhapjen e materialeve denigruese për Candace Owens, përfshirë një kopertinë të falsifikuar të revistës Time, ku Brigitte prezantohet si “Mashkulli i Vitit”. Në një post tjetër, një prej të akuzuarve njoftonte për praninë e 2 mijë personave të gatshëm të bëjnë derë më derë» në Amiens, qyteti i origjinës së presidentit dhe zonjës së parë, «për të sqaruar çështjen Brigitte. Ata rrezikojnë deri në dy vjet burg.



Read it all at Bota Sot