Pavarësisht tensioneve të fundit dhe reagimit të tij të ashpër ndaj trajnerit Xabi Alonso, Real Madridi nuk ka në plan ta shesë Vinicius Junior.
Sipas gazetarit Dean Jones, incidenti i ndodhur gjatë El Clasicos, kur braziliani u zëvendësua në fitoren 2-1 ndaj Barcelonës dhe u kap nga kamerat duke thënë “Gjithmonë unë! Po largohem nga skuadra!”, ka ndezur spekulime të shumta mbi të ardhmen e tij.
Megjithatë, burime pranë klubit kanë theksuar se “nuk ekziston asnjë plan për shitjen e tij”.
Edhe pse në fund të sezonit Vinicius do të ketë vetëm një vit të mbetur në kontratë dhe bisedimet për rinovim nuk kanë përparuar, drejtuesit madrilenë e konsiderojnë atë pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë.
Liverpooli është përmendur si klub i interesuar, por për momentin këto raportime janë cilësuar si “të parakohshme”.
Klubi madrilen shpreson që lojtari të vazhdojë të luajë një rol kyç në garën për rikthimin e titullit të La Ligas, ndërsa një transferim në janar konsiderohet plotësisht i përjashtuar.