Pas fitores së rëndësishme ndaj Juventusit, Lazio po përgatitet të planifikojë lëvizjet e saj për afatin kalimtar te janarit, ndërsa trajneri Maurizio Sarri i ka kërkuar klubit një sforcim ekonomik për të përforcuar skuadrën.
Sipas mediave italiane, prioriteti kryesor i bardhekaltërve është përmirësimi i krahut të majtë të mbrojtjes, ku emri më i përfolur është ai i Aaron Martin nga Genoa.
Ish-mbrojtësi i Mainz-it dhe Celta Vigos ka impresionuar në këtë sezon dhe shihet si profili ideal për të sjellë stabilitet në krahun e majtë, një sektor që ka qenë problematik për Lazion në muajt e fundit.
Përveç afrimeve, pritet edhe largimi i disa lojtarëve që nuk kanë bindur teknikun Sarri. Dele-Bashiru, Belahyane dhe Noslin janë futbollistët që drejtuesit janë të gatshëm t’i largojnë, me mundësinë për t’i zëvendësuar me lojtarë më të përshtatshëm për stilin e trajnerit.
Në listën e dëshirave të Sarrit figurojnë Ivan Ilić, mesfushori serb që aktualisht aktivizohet te Torino, si dhe një rikthim i bujshëm në Serie A – Lorenzo Insigne, i cili mund të largohet nga MLS dhe të rikthehet në Itali për të veshur fanellën bardhekaltër.
Fitorja ndaj Juventusit i ka dhënë Lazios besim dhe energji të re për pjesën e dytë të sezonit, ndërsa Sarri kërkon që drejtuesit të veprojnë me vendosmëri për të përmirësuar grupin. Me një merkato të zgjuar në janar, Lazio synon të rikthehet në garën për zonën Champions dhe të sigurojë një fund sezoni pozitiv.