Ish-drejtori sportiv i Romës, Ëalter Sabatini, ka komentuar mbi afrimin e mundshëm të Luciano Spallettit në stolin e Juventusit, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si perfekt për të dyja palët.
Trajneri italian, që pritet të nënshkruajë kontratë me bardhezinjtë deri në fund të sezonit, me mundësi rinovimi në rast kualifikimi në Champions League, shihet si njeriu ideal për të rikthyer skuadrën në nivelet më të larta.
Sabatini, që ka punuar me Spallettin gjatë kohës te Roma, është i bindur se trajneri nga Certaldo mund të sjellë energjinë dhe vizionin që Juventusit i mungon.
“Në situatën aktuale të Juventusit, nuk mjafton një trajner që bën gjërat mirë. Klubit i duhet diçka më shumë, dhe Luciano është gjeniu i duhur për t’i ngritur përsëri. Juventusit i mungon udhëheqja në fushë.
Kur nuk ke lojtarë që e tërheqin skuadrën, duhet të kompensosh me një stil loje të evoluar. Luciano është njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Juventus ka nevojë për Spallettin dhe Spalletti ka nevojë për Juventusin”, tha Sabatini për La Gazzetta dello Sport
Pas përvojës zhgënjyese me kombëtaren e Italisë, Spalletti kërkon një sfidë të re për t’u rikthyer në majë. Sabatini e përshkruan këtë mundësi si një terapi shpëtimi për trajnerin: “Luciano po vuan fizikisht dhe emocionalisht nga dështimi me kombëtaren. Nuk po gjen qetësi. Juventus do të jetë si morfinë e pastër për të, do ta rikthejë në jetë.”
Në Torino, besojnë se përvoja dhe filozofia e Spallettit mund të jenë çelësi për të rikthyer identitetin dhe karakterin e “Zonjës së Vjetër”.