Lojtarët e Flamurtarit dhe Vllaznisë nderojnë 17-vjeçarin që humbi jetën tragjikisht

- Bota Sot

Lojtarët e Flamurtarit dhe Vllaznisë nderojnë 17-vjeçarin që humbi jetën tragjikisht

Ndeshja mes Flamurtarit dhe Vllaznisë nisi me një moment emocioni të madh në stadiumin e Vlorës.

Para fillimit të takimit, të dy skuadrat zhvilluan një homazh prekës në kujtim të 17-vjeçarit Leonardo Shametaj, i cili humbi jetën një ditë më parë pas një aksidenti tragjik në qytet.

Në tribunën ku ishin vendosur tifozët vlonjatë, u shfaq fotografia e të ndjerit, ndërsa atmosfera u mbush me respekt e ndjenjë dhimbjeje.

Futbollistët e të dy ekipeve u afruan përpara tribunës dhe vendosën nga një trëndafil të bardhë pranë fotos së tij, si shenjë nderimi dhe solidariteti me familjen e të riut.

Ndërkohë, tifozët e pranishëm në stadium u ngritën në këmbë, duke duartrokitur gjatë në një moment heshtjeje që preku zemrat e të gjithëve.

Leonardo Shametaj, një adoleshent i dashur dhe punëtor, po kthehej në shtëpi me motomjetin e tij pas përfundimit të punës rreth mesnatës, kur u përplas fatalisht nga një automjet tip Porsche që udhëtonte me shpejtësi.

Ky gjest i futbollistëve dhe tifozëve të Flamurtarit e Vllaznisë tregoi edhe një herë se sporti di të bashkojë njerëzit përtej rivaliteteve, në momente kur dhimbja dhe solidariteti bëhen më të forta se çdo rezultat.



Read it all at Bota Sot