Në mesin e prillit të vitit 1917, një delegacion prej 34 shqiptarësh, të ftuar nga komandanti i forcave ushtarake austriake që gjendeshin në territoret shqiptare, gjenerali Ignaz Freiherr Trollmann, vizitoj kryeqytetin perandorak austriak Vjenë. Delegacioni që arriti në Austri me 17 prill 1917, u prit në stacionin qendror hekurudhorë nga shumë personalitete ushtarake dhe diplomatike perandorake, si gjeneralët Trollmann e Myrdacz, gjenerali Ritter von Gross, konsulli Rudnay si dhe gazetari i njohur perandorak, Leo Freundlich (i cili ka shkruar e dokumentuar të detajuara momentet e vizitës së delegacionit shqiptar gjatë gjithë kohës, të cilat janë referenca ime në këtë shkrim). Qëllimi i ardhjes së përfaqësuesve shqiptarë, ishte një takim nderimi me perandorin e ri Karl, si dhe për të bërë homazhe tek varri i perandorit Franz Josef.
Delegacioni, në përbërje të cilit ishin burrat më në zë (prijës) nga të gjithë territoret shqiptare, bëri përshtypje të madhe në qytet. Prijësit e fisëm malësore shqiptarë, të veshur me kostumet e tyre kombëtare, shumëngjyrëshe, të qëndisur me fije arit, ndiqeshin me vëmendje nga vjenezët, gjatë vizitave të tyre të shumta në pikat më të spikatura të qytetit. Njerëzit ishin të befasuar nga pamja krenare e burrërore e këtyre burrave shtatë-lartë me mustaqe kreshnikësh, që njiheshin deri atë herë vetëm në shkrimet apo veprat e publikuara nga studiuesit albanologë austriak.
Turma kureshtare njerëzish mbushnin trotuaret, kur delegacioni kalonte në makina luksoze, pajtonet karakteristike vjeneze apo, në ndonjë vagon special tramvaji, për të shijuar bukuritë e qytetit më në zë europian. Grupi shoqërohej nga profesorët Gjergj Pekmezi dhe Kolë Rrota, që jetonin e punonin në Vjenë.
Në arkivat e ministrisë së Jashtme të kohës së Perandorisë Austro – Hungareze, gjinden informacione konfidenciale, të cilat janë dërguar (në shifër) nga konsulli austriak në Shqipëri, Kral, ministrit të jashtëm kontit Ottokar Czernin, në Vjenë. Dokumentet janë lista që përmbajnë emrat e të ftuarve, e ku për secilin të ftuar, gjendet një përshkrim i shkurtër biografik i bërë nga konsullatat austriake në Shqipëri. Dokumenti i parë është dërguar nga Shkodra dhe mban datën 10 prill 1917. Listat janë të formuluara sipas ndarjeve te rretheve apo qyteteve:
Bezirku I-rë – Rrethi i Shkodrës
Musa Efendi Juka, Kryetar Bashkie i Shkodrës, rrjedh nga një familje e përmendur shkodrane. Në kohën e turkut, ai ishte nën-punës i lartë i financave në Vilajetin e Shkodrës. Mbas pushtimit të qytetit nga malazezët (1913), u largua për në Konstantinopël, por më pas u kthye përsëri në Shkodër, ku ndihmoj shumë në përhapjen e politikës së turqve të rinj. Për këtë arsye, mbas pushtimit të dytë të qytetit nga malazezët (1915), u mbajt në burg për një muaj. Është dekoruar “Kalorës i Urdhrit” të Franz Josefit.
Kol Ujka, tregtar (ka zëvendësuar Gjon Çobën, i cili për arsye shëndetësore, ka lajmëruar mos marrjen pjesë në grup), Gjon Çoba, vjen nga një familje e njohur katolike shkodrane. Babai i tij ishte për 40 vjet përkthyes i konsullatës së përgjithshme austriake në Shkodër, punë të cilën e ka kryer me nder. Ai ka mbajtur me ne lidhje të ngushta e, për këtë në vitin 1915, u internua nga malazezët e Podgoricës. Ai është si babai i tij, një tregtar i madh.
Hasan Efendi Bekteshi, rrjedh nga një familje e vjetër shkodrane. Është tregtar i madh. Gjyshi i tij, ishte në kohën e Vezirit Mustafa Pasha “Kuluktishibash”, postëkomandant i Shkodrës, babai i tij ishte “Bylykbash”, përfaqësues i malësive në Shkodër. Hasan Efendi është politikisht në anën tonë. Në vitet 1914 – 1915, ndihmoj politikën e turqve të rinj, që vepronte kundër Essad Pashës, prandaj u kap dhe u burgos nga malazezët për një muaj.
Vat Marashi, Bajraktar i Shkrelit. Mudir (administrator). i Pulaj-t, në kohë të turkut dhe të fuqive ndërkombëtare. Ai kishte lidhje shumë të mira me autoritetet turke, por pas qëndrimit të njëanshëm poshtërues të turqve, u vendos në krah të malësorëve. Në pushtimin e parë nga malazezët, u internua si mbështetës i turqve. Ai është një politikan i mirëfilltë dhe një orator i talentuar.
Gjelosh Gjoka, Vojvoda i Kastratit, bashkëpunëtori ynë i sinqertë. Ishte në shërbim të Princit Wied në Durrës e, mbas ikjes së tij, u kthye në Kastrat përsëri. Kur ushtritë malazeze kaluan kufirin shqiptarë, ai largohet për në Shkodër (1915). E gjithë pasuria e tij, u plaçkit dhe u dogj në mungesë të tij. Është mbajtës i “Kryqit të Arit”, për merita.
Për Lezhën:
Mano Bey Mehmed Bey, rrjedh nga një familje shumë e vjetër dhe e përmendur nga Lezha. Babai, gjyshi si edhe ai vetë, ishin Mudir të malësisë së Lezhës. Familja e tij është pronare e madhe tokash.
Ded Çoku nga Bregu i Matit, vjen nga fisi Klementi (Nikci), ishte përpara shumë i pasur, por e humbi një pjesë te pasurisë (tokave), për shkak të rebelimit të tij kundër pushtetit osman, luftës kundër rebelëve të Shijakut dhe kundër Essad Pashës. Ai është nacionalist i flakët shqiptar dhe përkrahës i hapur i Austro Hungarisë. Ka luftuar ne anën tonë kundër armiqve të përbashkët. Është mbajtës i “Kryqit të Artë” për merita të veçanta.
Bezirku III – Për Pukë e Mirditë
Kapitan Nue Gjoni, vëllai i Kapidanit të Mirditës, Marka Gjoni, kushëri i Prenk Bib Dodës. Pasardhës i familjes së përmendur Gjon Markaj nga Oroshi. Përkrahës i Monarkisë Austro Hungareze. Mori pjesë në luftimet kundër rebelëve të Shijakut, kundër serbëve dhe Essad Pashës.
Zef Ndoci, Vojvoda i Spaçit (i biri i Ndoc Ndrecës, komandant i Mirditës në kohë të turkut). Ka qenë për shumë vjet mësues në shkollën e famullisë së Spaçit. Mori pjesë aktive në qëndresën kundër turqve, në luftën kundër serbëve dhe kundër Esad Pashës, të cilit i shkaktoj dëme të mëdha. Shqiptar nacionalist dhe simpatizant i Monarkisë Austro-Hungareze. Mbajtës i “Kryqit të Artë”, për merita të veçanta.
Zejnel Aga Ibalja, Vojvoda i Iballës, nga një familje shumë e përmendur dhe e pasur. Ai luftoj bashkë me Bajram Bey Currin kundër serbëve dhe Essad Pashës, në krah të princit Wied. Është i njohur për miqësinë me ne.
Bezirku i IV
Muharrem Pengili nga Kruja, përpara Mufti, tashti Naib-Mufti në Krujë. Një klerik shumë i njohur dhe shumë burrëror muhamedan. Ahmed Bey nga Mati, përfaqësues e trashëgimtar i fisit zotërues të Matit, Zogolli që trashëgoj nga regjimi turk ofiqin Kajmekam. Luajti një rol të rëndësishëm në autonominë e Shqipërisë. Luftoj kundër serbëve dhe ishte një kundërshtarë i Esad Pashës. Vuri në dispozicion të ushtrisë tonë kur hymë në Shqipëri, 4000 – 5000 luftëtarë vullnetarë, të cilët luftuan në frontin pranë Vjosës. Është nderuar me urdhrin më të lartë të “Kaiserit Franz Josef”.
Bezirku i V – Rrethi i Tiranës
Mussa Maçi, përpara ishte Kryetar Bashkie, familje me zë, tregtar dhe qytetar tiranas me ndikim shumë të madh në Tiranë.
Xhelal Bey, nga familja e Toptanve, kushëri por kundërshtar i Essad Pashës. Pronar i madh tokash. Politikan dhe burrë i mençur.
Për Durrësin
Izzeddin Beshiri, ishte përpara Nën-Prefekt e tashti Kryetar Bashkie i Durrësit. I ri në moshë, por shumë inteligjent dhe i gatshëm të ndihmojë kudo. Vjen nga një familje e mirë. Bashkëpunëtor i zellshëm i administratës tonë, qysh në fillim të okupimit. Mban “Kryqin e Artë” me kurorë për merita të veçanta. Monsignor Nikollë Kaçorri, Protonotar Papnuer, famullitarë i Durrësit, nacionalist dhe mbështetës i Monarkisë Austro-Hungareze. Prift i përkushtuar. Burrë me inteligjencë e personalitet të veçantë.
Për Kavajën
Kassim Bey, nga një familje e përmendur. Shumë i pasur, Kryetar Bashkie i Kavajës. Shehziver Bey, nip i Eliaz Pashës nga Dibra – Ohri. Nip i të shumë njohurit e të nderuarit nga Shqipëria e mesme, Aqif Pashës. Ka ndihmuar gjatë ardhjes së trupave tona dhe bullgare, me vullnetarë. Në gjashtë muajt e parë të vitit që shkoj, ishte Prefekt i Elbasanit. Është i dekoruar si “Kalorës i Franz Josefit”.
Për Elbasanin
Lef Nossi, i besimit ortodoks, nga një familje e pasur tregtare kristiane, me gjithë rrezikun e madh në kohë të qeverisë turke, ka organizuar njerëzit, shumica nga banorët ortodoks të Elbasanit, për një lëvizje nacionale shqiptare. Ishte ministër për Postë dhe Telegraf në qeverinë e Ismail Qemal Beyt dhe sekretar i përgjithshëm në të njëjtën ministri, në kohë të Wiedit. Irfan Bey nga Elbasani, nip i Aqif Pashës
Për Berat e Skrapar
Sami Bey Vrioni, pjesëtar nga familja e vjetër Vrioni që janë zotërues tokash e pasanikët latifondistë më të mëdhenjtë në zonën e Devollit. Është dhëndëri i Essad Toptanit, ishte Administratori i Oborrit (Hofmarschall) të Prinz Wied-it. Mehmed Essad, një klerik muhamedan shumë i përmendur, përpara ishte myftiu i Beratit, tashti drejtues i seminarit muhamedan aty. Dhimiter Lavda, i besimit ortodoks grek, burrë i përmendur dhe tretarë i njohur.
Për Lushnjën
Ahmed Bey Resuli, vjen nga një familje e vjetër dhe e përmendur, shumë i pasur. Emin Vokopola, një burrë me shumë autoritet, shumë i njohur dhe pasanik.
Për Fierin
Kahreman Bey Vrioni, kushëri i afërt i Sami Bey Vrionit, i pasur dhe i nacionalist. Luftoj si oficer kundër rebeleve dhe Essad Toptanit, ka arritur suksese të mëdha në këtë luftë, duke i prirë trupave tona, është i besuari jonë dhe është “Kalorës i Urdhrit” të Franz Josefit.
Bezirku i VI – Zhuri – Peshkopija
Elez Jussuf, është një burrë shumë i njohur dhe me autoritet në zonat e Drinit nga Dibra. Është i besuari ynë, bëri qëndresë ndaj disa grupeve në Dibër, duke propaganduar influencën gegë. Kundërshtoj hapur propagandën e partisë së Essad Toptanit. Luftoj në krye të vullnetarëve kundër serbëve, deri në tërheqjen e tyre. U vu në shërbim të forcave tona dhe ka fituar për merita lufte Urdhrin e Lartë si “Oficier i Franz Josefit”.
Salih Spahija nga Luma, është përfaqësues i familjes më të rëndësishme në Lumë, ka luftuar kundër Serbve, është nënprefekt në administratën tonë. Ka shumë influencë.
Për Krasniqin
Hysni Bey Curri, nip i Bajram Bey Currit. Në kohën e reformave në Maqedoni (1914), bashkë me Bajram Currin, ishte ndjekës i Hysni Hilmi Pashës, inspektorit të komisionit të reformave. Në kohën e revolucionit të Kosovës (1910), bashkë me Bajram Currin, mori pjesë në qëndresën e shqiptarëve kundër qeverisë turke. Në të njëjtën kohë mori pjesë në çdo lëvizje e qëndresë kundër sllavëve, si dhe në luftimet e Princit Wied në Durrës.
Sali Mani Bunjaj, është pjesëtar i një familje të njohur dhe të pasur. Ka qenë dhe është kurdoherë një ndjekës i Bajram Currit. Hasan Bey Prishtina, është një nga njerëzit më të përmendur, nacionalist dhe me influencë në të gjitha zonat veri-lindore që janë shqipfolëse. Ishte ministër në qeverisjen e princit Wied
Delegacioni në shoqërinë e gjeneralit Trollmann, vizitoj shumë objekte të artit, të kulturës e të historisë së perandorisë. Vizitën e parë e bëri tek Dhoma e Thesarit të Perandorisë, prej ku më pas në Museun e Artit, ku patën rastin të njihen e të kundrojnë nga afër armët dhe përkrenaren e heroit tonë kombëtare Gjergj Kastrioti që ndodhet në dhomën e koleksionit të armëve. Një vizitë tjetër e rëndësishme ishte edhe në katakombet e Kishës së Kapuçineve ku ndodhen varrezat e pjesëtarëve të familjes perandorake dhe sarkofagu i Kaiserit Franz Josef, i cili kishte pak muaj që kishte vdekur (21 nëntor 1916). Këtu u vendos një kurorë me lule dhe u mbajtën fjalime falenderuese, nga Gjergj Pekmezi dhe Hasan Prishtina, në nderim të perandorit të vdekur.
Ditët e tjera, u mundësuan vizita në Museun Ushtarak, Katedralen madhështore të Shën-Stefanit në qendër të qytetit, e më pas u bë edhe audienca ku delegacioni ynë u prit nga Perandori Karl dhe Perandoresha, për rreth 45 minuta. Në emër të shqiptarëve zotëri Xhelal Toptani, i dhuroj princeshës së vogël tre vjeçare, një fustan të qëndisur me fije ari, punë dore e nënave shqiptare. Nga takimi me Perandorin, shqiptarët të hipur ndër 10 makina ushtarake, vizituan bashkinë e Vjenës, ku u pritën me nderime nga kryetari Dr. Weiskirchner.
Sipas programit të vizitës, delegacioni shijoj dhe bukurinë e “vallëzimit të kuajve të racës”, në shkollën spanjolle të kuajve të Oborrit Perandorak, më pas u njoh me koleksionet e pashembullta e unikale të Muzeut të Natyrës, të cilin Perandori e kishte ndërtuar për të kënaqur ndjesitë e tija dhe për t’i treguar botës fuqinë dhe pasurinë e perandorisë. Gjëja më interesante në ditën e tretë të ardhjes, ishte shkuarja e grupit në operën e famshme të Vjenës, ku atë natë luhej “FIDELIO”. Për shumë pjesëtarë të delegacionit, kjo ishte një risi që nuk kishin pasur mundësi më përpara ta shijonin.
Me 20 prill, shqiptarët u priten në Ministrinë e Mbrojtjes (të Luftës), ku këmbyen me ministrin falenderime e lavde reciproke e më pas delegacioni vizitoj kështjellën e Schönbrunnit, me bukuritë e saj që e rrethojnë. Në orët e vona të natës, një pjesë e delegacionit ishte parashikuar të largohej nga Vjena në drejtim të atdheut e, për to u organizua nga autoritetet një festë përcjellje.
Në programin javor ishte edhe një takim me fëmijët shqiptarë të cilët shkolloheshin në Vjenë e, që jetonin në një konvikt të veçantë vetëm për to, në Krottenthalergasse. Ajo që bëri përshtypje në festën madhështore të lamtumirës, ishte fjala që mbajti komandanti i forcave austriake në Shqipëri, gjenerali Trollmann, i cili përshëndeti fisnikët shqiptar për ndihmën e madhe të dhënë për organizimin e ndihmave, të ushtrisë e vullnetarëve. Në fund të fjalës së tij ai thirri në gjuhën shqipe: “Rroftë Shqipëria”!
Mbrapa e mori fjalën Imzot Nikollë Kaçorri, i cili tha që shqiptarët ishin më se të kënaqur për pritjen e bërë në këtë qytet të mrekullueshëm për nga bukuria e kultura. Në emër të gjithë të deleguarve, ai falenderoj për pritjen e ngrohtë që u bëri atyre Perandori dhe autoritetet e tjera të shtetit e të qytetit.
Në fund Imzot Kaçorri me fjalë të ngrohta falenderoj dhe i dëshiroj gjithë të mirat gjeneralit Trollmann, për simpatinë që ai ushqente për popullit shqiptar, urim që u brohorit nga të gjithë të pranishmit pjesëtarë të delegacionit. Delegacioni shqiptar u nis për në atdhe me 23 prill 1917.
Shënim: Imzot Kacorri vdiq pas afro një muaji në Wien (29 maj 1917)…/ panorama