Trajneri Pep Guardiola ishte i kënaqur që Omar Marmoush më në fund shënoi golin e tij të parë sezonal me Manchester City. Sulmuesi egjiptian shënoi dje në fitoren 3-1 të “qytetarëve” ndaj Swansea në Carabao Cup.
Marmoush u vendos në rolin e sulmuesit kryesor në këtë ndeshje, ndërsa Erling Haaland u la pushim. “Po bëhet gjithnjë e më mirë. Jam i lumtur për të sepse një sulmues ka nevojë për gola dhe për vetëbesimin e tij kjo do të jetë e rëndësishme”, tha Guardiola.
“Ai ka qenë i lënduar për një kohë të gjatë dhe sigurisht që të luash në pozicionin e Erling është e rëndësishme. E dimë që në shumë ndeshje kemi nevojë për dy sulmues dhe është shumë mirë ta kemi atë përsëri”, shtoi Pep Guardiola.
“Shumë ekipe kundërshtare luajnë me një sistem me 5 mbrojtës, ndaj Marmoush e di si të jetë i duruar.
Ai është i aftë të lëvizë në hapësira të vogla, të jetë konsistent dhe më pas të vrapojë në prapavijë. Kemi nevojë për të”, tha trajneri spanjoll.