Lisandro Martinez ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në rikuperimin e tij duke u rikthyer në stërvitjen e ekipit të parë të Manchester United në Carrington, pasi ishte jashtë fushave për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju që nga fillimi i shkurtit.
Lojtari i kombëtares argjentinase iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ka punuar shumë për rehabilitimin e tij.
Kthimi i tij në stërvitje shënon një moment të rëndësishëm pas disa muajsh rikuperimi nga një dëmtim i ligamentit të kryqëzuar anterior që pësoi gjatë një humbjeje ndaj Crystal Palace.
“Shikoni kush është kthyer. Licha është rikthyer në stërvitje të plota me ekipin”, shkruan në postimin e Unitedit në rrjetet sociale, teksa më vonë kanë bërë edhe disa postime tjera, të bashkangjitura me fotografi.
Numri 6 ka bërë 91 paraqitje për Unitedin që kur u bashkua nga Ajaxi në vitin 2022, duke shënuar tre gola dhe duke fituar Kupën Carabao dhe Kupën FA.