Barcelona e ka vënë në shënjestër Osimhenin

- Bota Sot

Barcelona e ka vënë në shënjestër Osimhenin

Barcelona vazhdon të kërkojë një sulmues të nivelit më të lartë për të ardhmen dhe emri që shkëlqen më shumë në listë është ai i Victor Osimhen-it.

Sulmuesi nigerian, aktualisht te Galatasaray, është vlerësuar maksimalisht nga drejtuesit katalanas për instinktin e tij të golit dhe nivelin e lojës, por transferimi i tij duket pothuajse i paarritshëm për shkak të kostos shumë të lartë.

Osimhen ishte objektiv i Barcelonës edhe në vitin 2024, kur ai luante te Napoli dhe konsiderohej si zëvendësues i mundshëm i Robert Lewandowski-t.

Edhe pse polaku vendosi të qëndronte, e ardhmja e tij pas këtij sezoni mbetet e paqartë, duke bërë që emri i Osimhen-it të rikthehet në planet e klubit.

Megjithatë, situata financiare e Barcelonës është pengesa kryesore. Galatasaray pagoi rreth 75 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij dhe e ka të lidhur me kontratë deri në vitin 2029.

Një operacion i tillë do të kërkonte një investim të jashtëzakonshëm dhe vështirë se mund të realizohet pa dëshirën e vetë lojtarit për tu larguar, kartë që Barça e ka përdorur me sukses në të kaluarën.

Osimhen po zhvillon një tjetër sezon solid: në 13 ndeshjet e Galatasaray deri tani, ai ka luajtur në nëntë prej tyre dhe ka shënuar gjashtë gola, mes kampionatit turk dhe kompeticioneve europiane. Forma e tij e lartë e bën atë një nga sulmuesit më të kërkuar në botë.

Drejtori sportiv Deco ka frenuar çdo lëvizje të parakohshme: rinovimi i Lewandowski-t mbetet në pauzë, po ashtu edhe përpjekja për një “numër 9” të ri. Vetëm një mundësi e jashtëzakonshme në treg mund të hapë derën për një operacion të tillë.

Barcelona vazhdon ëndrrën, por për momentin Osimhen duket më shumë si një dëshirë sesa një objektiv i realizueshëm, pavarësisht besimit që ka tek projekti i Hansit Flick-ut dhe ambicieve të klubit për të rikthyer lavdinë europiane.



Read it all at Bota Sot