 
            Banka Qendrore e Argjentinës ka njoftuar hedhjen në qarkullim të një monedhe argjendi kushtuar “Gol-it të Shekullit” të Diego Armando Maradonës, momentit legjendar të futbollit botëror që ndodhi në çerekfinalen e Botërorit 1986 kundër Anglisë.
Në atë ndeshje, Maradona përshkoi rreth 50 metra me topin, duke kaluar pesë lojtarë anglezë përpara se të shënonte golin që çoi Argjentinën në epërsi 2-0, duke ndezur festime të papara në të gjithë vendin dhe në botë.
Monedha prej argjendi, me vlerë nominale 10 peso argjentinase (AR$10), është pjesë e Programit Ndërkombëtar të Monedhave Përkujtimore për Kupën e Botës FIFA 2026. Banka Qendrore e Argjentinës (BCRA) ka marrë pjesë në këtë program edhe në pesë botërorët e mëparshëm, duke lëshuar monedha të ngjashme për ngjarje të rëndësishme sportive.
Dizajni i monedhës paraqet në stil artistik trajektoren e “Gol-it të Shekullit”, duke përshkruar me skemë lëvizjet e Maradonës gjatë atij momenti historik në Botërorin e Meksikës 1986.
Megjithatë, tifozët vërejtën se as në dizajnin e monedhës dhe as në njoftimin zyrtar të BCRA-së nuk përmendet emri i Diego Maradonës, edhe pse është qartë i frymëzuar nga goli i tij i famshëm.
Kjo nuk është hera e parë që emri i kampionit të Botërorit 1986 shkakton debat politik në Argjentinë.
Në maj, influenceri pro-Milei, Daniel Parisini, i njohur si El Gordo Dan, publikoi në platformën X (ish-Twitter) një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku Maradona paraqitej krah presidentit Javier Milei, me mbishkrimin: “Maradona es Milei” (“Maradona është Milei”).
Kjo shkaktoi reagim të fortë nga vajza e tij, Dalma Maradona, e cila kërkoi heqjen e menjëhershme të fotos.
Gjatë jetës së tij, Maradona deklarohej si përonist dhe kishte lidhje të ngushta me figura të majta si Fidel Castro, Hugo Chávez dhe Cristina Fernández de Kirchner.
Stadiumi që mban emrin e Maradonës ndryshon emër
Emri i legjendës argjentinase u përmend sërish në lajme këtë javë, pasi Federata e Futbollit të Argjentinës (AFA) njoftoi një ndryshim zyrtar në emërtimin e stadiumit të La Plata-s, i cili që prej vitit 2020 quhej Estadio Diego Armando Maradona.
Nga tani, impianti do të mbajë emrin e plotë “Diego Armando Maradona – Tricampeones del Mundo” (“Diego Armando Maradona – Kampionë të Botës për herë të tretë”). Vendimi erdhi pas një marrëveshjeje mes AFA-së dhe qeverisë së provincës së Buenos Airesit.
Presidenti i AFA-së, Claudio Tapia, deklaroi se qëllimi është që stadiumi të shndërrohet në “shtëpinë e ekipeve kombëtare të të rinjve, grave dhe burrave të Argjentinës”, si dhe të presë fazat finale të kampionateve dhe kupave kombëtare.
Ai shtoi se stadiumi mund të jetë një nga arenat e mundshme të Kupës së Botës 2030, nëse FIFA vendos të zgjerojë turneun në 64 ekipe, propozim që gëzon mbështetjen e disa federatave të Amerikës së Jugut.