Verratti: Messi është më i miri, Neymar të jep gëzim, Mbappe si Ronaldo

- Bota Sot

Verratti: Messi është më i miri, Neymar të jep gëzim, Mbappe si Ronaldo

Ish-mesfushori i Paris Saint-Germain, Marco Verratti, ka folur për përvojat e tij te gjiganti francez dhe për bashkëlojtarët legjendarë me të cilët ka ndarë dhomën e zhveshjes: Lionel Messi, Neymar dhe Kylian Mbappe.

“Të tre janë të ndryshëm”, ka thënë Verratti. “Messi është njeriu më i thjeshtë në botë: i përulur, i dashur, dhe për mua më i miri në histori.

Neymar është gjithmonë me buzëqeshje, të jep energji pozitive.

Ndërsa Kylian është i etur për të qenë më i miri në botë; ma kujton Ronaldon brazilian, sepse mund ta vendosë ndeshjen me një veprim të vetëm”. 

Verratti, i cili tani luan në Qatar Stars League, e ka kujtuar edhe triumfin e PSG-së në Champions League, që erdhi pas largimit të tij nga klubi.

“E ndoqa finalen në stadium me miq nga Parisi. Ishte një lehtësim i madh për klubin dhe presidentin. E ndjeva edhe unë si pjesë e atij suksesi, sepse e di sa shumë punuan për ta arritur,” është shprehur italiani, duke folur për "Flashscore".

Mesfushori, që kaloi plot njëmbëdhjetë vite në Paris dhe zhvilloi mbi 400 ndeshje me fanellën e PSG-së, e konsideron periudhën atje si pjesën më të rëndësishme të jetës së tij.

“PSG më dha gjithçka. U rrita aty, u bëra burrë, u bëra baba. Edhe pse s’e fituam Champions League në kohën time, kam vetëm kujtime të bukura”, ka thënë Verratti.



Read it all at Bota Sot